Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e gjyqtarit të Administratives Artur Malaj

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e gjyqtarit të Administratives Artur Malaj

Me rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj.

Komisioneri Publik ka apeluar në kolegjin e Apelimit vendimin e KPK-së për të konfirmuar në detyrë gjyqtarin Malaj.

Sipas Komisionerit Publik, në vendimin e KPK-së ka përfundime kontradiktore lidhur me pasurinë e gjyqtarit:

“Komisioni është mbështetur në arsyetime dhe interpretime kontradiktore lidhur me përmbajtjen dhe zbatimin e dispozitave kushtetuese dhe legjislacionit të posaçëm. Komisioneri Publik nuk krijon bindjen se subjekti i rivlerësimit ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht pronat në përdorim, posedim apo disponim të tij dhe të personave të tjerë të lidhur.”

Po ashtu ONM-ja, e quan të “pajustifikueshëm” konfirmimin në detyrë të Malajt nga KPK-ja. Sipas ONM-së, gjyqtari Malaj nuk justifikonte pasurinë me burime të ligjshme, nuk kishte një figurë të pastër, dhe dështoi të tregonte nga ana profesionale se ishte i aftë për të vazhduar detyrën.

Artur Malaj, njëkohësisht dhe kandidat për në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, u rikonfimua në detyrë nga Genta Tafa, suela Zhegu dhe Pamela Qirko, më 3 gusht, edhe pse Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e quajti të papërshtatshëm për detyrën dhe kërkoi shkarkimin e tij. Sipas raportit të DSIK-së, Artur Malaj është përfshirë në korrupsion gjatë punës në Gjykatën e Vlorës. Por KPK e ka quajtur raportin e DSIK-së të pabazuar në prova dhe fakte.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>