Komisioneri Publik Darjel Sina apeloi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK-së për të konfirmuar në detyrë drejtuesin e Prokurorisë së Apelit Tiranë, Dritan Peka dhe kërkon shkarkimin e tij.
Komisioneri Publik kërkoi rivlerësim të Pekës në të treja kriteret e vetingut, pasi dyshon se ka probleme me deklarimin e pasurisë; ka denoncime nga qytetaët se Peka ka lidhje me persona të inkriminuar; dhe në disa çështje të shqyrtuara prej tij, ka probleme në aspektin profesional.
Trupa e KPK-së e përbërë nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Lulzim Hamitaj, vendosi konfirmimin në detyrë të Pekës më 4 mars. Gjatë seancës komisioni i vetingut hodhi dyshime për kontrata të sajuara, përdorim të papërshtatshëm të parave të një kredie të butë, dhe për blerjen e një makine me çmim të sajuar. Gjithashtu, KPK konstatoi probleme edhe në aspektin profesional, duke nxjerr në pah se si kryetar i Prokurorisë së Apelit Tiranë, zoti Peka nuk mori masa ndaj një prokurori, i cili nuk kishte dërguar një çështje në Gjykatën e Lartë.
Komisioni ngriti dyshime edhe për ligjshmërinë e emërimit nga ana e Pekës të një punonjësi të administratës së prokurorisë, ia cili nuk kishte qenë në detyrë për disa muaj.
Pavarësisht këtyre problematikave, KPK e konfirmoi në detyrë zotin Dritan Peka.