Me rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Komisioneri Publik ka kërkuar sot shkarkimin nga detyra të prokurorit Gentjan Osmani.
Komisioneri Publik ka apeluar në kolegjin e Apelimit vendimin e KPK-së për të konfirmuar në detyrë prokurorin e Krimeve të Rënda.
Komisioneri Publik Darjel Sina kërkon nga KPA një hetim të thelluar të prokurorit për pasurinë dhe burimet e saj, njësoj siç rekomandonte dhe ONM, por dhe për kriteret e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Megjithëse për këto dy kritere, fillimisht nuk kishte dyshimi, një denoncim i ri, ardhur nga qytetarët në nëntor, ka bërë Komisionerin që të kërkojë hetim dhe për profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës.
Prokurori i Krimeve të Rënda Gentjan Osmani, njëkohësisht dhe kandidat për në KLP, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 2 gusht 2018.
Një javë më vonë, më 9 gusht, ONM i rekomandoi Komisionerit Publik që të apelojë vendimin e KPK-së për Osmanin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe të kërkojë shkarkimin e tij për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe burimeve jo të ligjshme të saj.
Edhe pse ndaj tij kishte një rekomandim negativ nga ONM, gjatë këtyre 3 muajve prokurori Osmani, njëkohësisht dhe zv.drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, është përfshirë në një sërë çështje të rëndësishme të prokurorisë, si përgjimi Babale-Xhafaj; të ish-ministrit Tahiri dhe të bandës së Emiljano Shullazit.
Një analizë të plotë të vendimit kontradiktor të KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurorit Osmani mund ta lexoni këtu.