Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin nga detyra të kreut të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, duke apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të Zaganjorit.
Komisioneri Publik nuk është dakord me vendimin e KPK-së, sipas të cilit Zaganjori ka bërë evasion fiskal të ligjshëm dhe ka shfrytëzuar boshllëqe ligjore gjatë regjistrimit dhe deklarimit të pasurisë.
Sipas KP-së Florian Hysa, Kreu i Gjykatës së Lartë Zaganjori ka bërë deklarata të pasakta pasurie ndër vite, i është shmangur me vetëdijetaksave dhe detyrimeve ligjore dhe nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë e tij dhe familjarëve të tij.
Të njëjtat vërejtje për vendimin e KPK-së ka nxjerrë më herët dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, sipas të cilit të ardhurat e Zaganjorit nuk justifikoheshin me burime të ligjshme pasurie dhe në disa raste transaksionet e bëra prej tij nuk janë të ligjshme.
Trupa e KPK-së, e përbërë nga Olsi Komiçi, Pamela Qirko dhe Roland Ilia, konfirmoi në detyrë më 24 korrik Zaganjorin. Më 27 shtator, më shumë se një muaj pas afatit të parashikuar ligjor, KPK-ja publikoi vendimin përkatës.
Pas një analize të plotë të vendimit të KPK-së, të cilën mund ta lexoni këtu, del qartë se në rastin e Zaganjorit, KPK ka zbatuar një standard tërësisht të ndryshëm: megjithëse gjatë gjithë këtyre viteve, Zaganjori ka bërë deklarime të pasakta dhe të ndryshme të pasurisë duke ndryshuar vlerën e pronës së tij disa herë; ai nuk ishte në gjendje të justifikonte blerjen e një apartamenti në Durrës; ai nuk ka dokumente për të provuar të ardhurat e tij nga dhënia me qira e apartamenteve; ai nuk ka kontratë për një paradhënie të paguar për një apartament në Shkodër; KPK-ja sërish e konfirmoi në detyrë.