Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović i kërkoi sot kuvendit të mos miratojë paketën e ligjeve për median, të cilat nuk janë në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut.
Zonja Mijatovic thotë se projektligjet kanë nëvojë urgjentë të ndryshohen dhe gjobat e parashikuara në to pa vendim gjykate janë cenim i drejtëpërdrejtë i lirisë së shprehjes:
“Mësova me shqetësim se këtë javë, Parlamenti shqiptar synon të miratojë dy projektligje, të njohura si “paketa antishpifje”. Këto projektligje kanë nevojë urgjente për përmirësime. Disa parashikime nuk janë në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut, që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit.
Jam veçanërisht e shqetësuar me fuqitë vendimmarrëse që u jepen organeve rregullatore, me mundësinë që të vendosin gjoba të majme dhe të bllokojnë media online pa patur më parë një vendim gjykate.”
Komisionerja theksoi se çdo ndërhyrje e shtetit në rregullimin e medias online minon lirinë e shprehjes dhe medias:
“Është me rëndësi që të sigurohemi që interneti të mbetet një forum i hapur, publik ku të mbizotërojë parimi i vetërregullimit, përfshirë këtu edhe për median online.”
Zonja Mijatovic i kërkoi deputetëve të rishikojnë draftet në fjalë dhe t’i përshtasin ato standardet e vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës.
Qendrimin e Komisioneres Mijatovic e ndau në profilin e tij zyrtar dhe Presidenti Meta, i cili theksoi se pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur.
Po sot, Reporteri i Parlamentit Europian për Shqipërinë nga grupi parlamentar i PPE-së, David Lega deklaroi se “nëse parlamenti shqiptar miraton ligjet e reja për media, rrezikohet presidenca e Shqipërisë për OSBE-në dhe negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian.”