Komisioni Europian do të kërkojë sqarime nga kompania Pfizer nëse do të ketë më vonesa në dërgimin e vaksinave anti-Covid në vendet e Bashkimit Europian.
“Ne do të kërkojmë sqarime nga kompania,” tha zëdhënësi i BE-së në një konferencë shtypi, në përgjigje të shqetësimit të vendeve për ngadalësimin dërgesave me vaksina.
Zyrtarë të lartë të vendeve të ndryshme raportuan për Reutersin se kompania Pfizer, me bazë në SHBA, kanë përgjysmuar vëllimin e vaksinave Covid që po shpërndan këtë javë.
Rumania mori vetëm 50 përqind të porosisë së planifikuar për këtë javë, gjysma tjetër pritet të shpërndahet gradualisht deri në fund të marsit.
Një situatë e ngjashme po ndodh dhe me Poloninë, e cila të hënën mori 176 mijë doza vaksine, vetëm rreth 50% e sasisë nga ajo që pritej.
Prej 15 janarit shumë vende të BE-së po marrin më pak dërgesa vaksinash anti-Covid nga Pfizeri, pasi kompania ka ngadalësuar dërgesat.
Pfizer tha se dërgesat e reduktuara janë thjesht një çështje e përkohshme.
Në një deklaratë për shtyp, kompania ka thënë se dërgesat po ndikohen nga ndryshimet në proceset e prodhimit të bëra për të rritur prodhimin. “Megjithëse kjo do të ndikojë përkohësisht në dërgesat në fund të janarit deri në fillim të shkurtit, ky proces do të sigurojë një rritje të konsiderueshme në doza të disponueshme për pacientët në fund të shkurtit dhe marsit.”
BE ka aprovuar dhe vaksinën e prodhuar nga kompania amerikane Moderna, kështu që vendet e BE-së nuk varen plotësisht nga vaksina nga Pfizer/BioNTech.
Ndërsa me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, në vendet e Bashkimit Europian vaksinimi ka nisur në 27 dhjetor.