Komisioni Europian ‘lufton’ korrupsionin në Shqipëri, por jo brenda vetes

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Komisioni Europian ‘lufton’ korrupsionin në Shqipëri, por jo brenda vetes

Është bërë tashmë e zakonshme që zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian, që vizitojnë Shqipërinë ose punojnë këtu, të postojnë shpesh në rrjetet sociale rreth “iniciativave”, “bisedimeve” dhe “projekteve” në bashkëpunim me qeverinë shqiptare kundër korrupsionit. Po ashtu, reforma në drejtësi, e dalë nga e famëkeqja kuti e zezë EURALIUS, është përpjekje për të krijuar një gjyqësor pa korrupsion.

E gjithë kjo është rezultat i deluzionit të Komisionit Europian se korrupsioni mund të luftohet duke bashkëpunuar me një klasë politike të zhytur në korrupsion, siç po zbulohet tender pas tenderi dhe koncesion pas koncesioni.

Sidoqoftë, më keq se deluzioni se korrupsioni mund të luftohet përmes ligjeve të hartuara dhe miratuara nga sipër-poshtë, nga burokratë me shumë pak lidhje me realitetin të cilit ata pretendojnë t’i japin formë, është hipokrizia mahnitëse se si Komisioni Europian e trajton korrupsionin, transparencën, dhe neglizhencën brenda vetë tij.

Në vend që të bënte transparencë se si rezidenca e shefes së Delegacionit të BE-së Vlahutin ishte në një kompleks të ndërtuar nga oligarku më i pasur i Shqipërisë, me simbolin e preferuar të korrupsionit të ish-Ambasadorit Donald Lu, Gjin Gjonin, si fqinj të sajin, në mënyrë sistematike Komisioni i vuri një mur çdo kërkese për  informacion nga KE, duke mos ofruar transparencë në lidhje me procedurën e tenderit, i cili, sipas materialit në dispozicion, dukej një shembull klasik i një prokurimi të manipuluar.

Gjithashtu, kur bëhej fjalë për keqadministrimin e fondeve IPA të BE-së, Delegacioni i BE-së në Tiranë nuk i ndryshoi mekanizmat e mangëta brenda tij. Një auditim i jashtëm gjeti raste të keqadministrimit të fondeve gjatë viteve 1996-2001, dhe më vonë plot raste të tjera u zbuluan nga Avokati i Popullit i BE-së. Kohët e fundit, disa projekte të tjera të financuara nën të njëjtat fonde IPA rezultuan të ishin dështime të plota.

Por ndoshta treguesi më i qartë se Komisioni Europian nuk praktikon atë që predikon, me të gjithë fodullëkun e një mësuesi të dalë mode, është një vendim i fundit i Avokatit të Popullit të BE-së lidhur me emërimin e një prej eurokratëve më me ndikim, Sekretarit të Përgjithshëm të Komisioni Europian Martin Selmayr.

Avokati i Popullit i BE-së arrin në përfundimin e qartë se: “Emërimi i z.Selmayr nuk u bë në zbatim të ligjit të BE-së – as në përmbatje, as në frymë – dhe as në zbatim të rregullave të vetë Komisionit”. Edhe pse Parlamenti Europian e denoncoi emërimin, edhe pse Avokati i Popullit i BE-së publikoi ​​disa gjetje të dënueshme, edhe pse Parlamenti i BE-së miratoi një rezolutë, duke këmbëngulur që Selmayr të jepte dorëheqjen… Selmayr vazhdon të jetë në postin e tij.

Në mënyrë të veçantë, Avokati i Popullit i BE-së zbuloi se në emërimin e Selmayrit, Komisioni Europian, ndër format e tjera të keqadministrimit, kishte kryer edhe:

– Keqpërdorim të procedurës së emërimit të Zëvendës-Sekretarit të Përgjithshëm. Komisioni Europian përdori një manovër për ta bërë Selmayr-in zëvendës-sekretarin e parë, që më pas ta bënte atë Sekretar të Përgjithshëm. Ngjan gjë si situatë e njohur? Pikërisht kjo procedurë u përdor me Arta Markun si Prokurore e Përgjithshme – në sajë të “opinionit” ligjor të Delegacionit të BE-së, i hartuar nga EURALIUS.

– Krijim të kufizimeve artificiale kohore. Një tjetër hile e përbashkët mes KE-së dhe qeverisë shqiptare. Njoftimi me vonesë i tenderave ose vënia e kufizimeve qesharake për aplikimet janë një mënyrë e sigurt për të kufizuar çdo pretendent serioz.

– Konflikte interesi. Kjo është gjithashtu e lezetshme: Selmayr ndihmoi në përgatitjen e procedurave të tij të përzgjedhjes dhe mori pjesë në procedurën e vendimmarrjes për të punësuar veten. Përsëri, kjo është një mënyrë e përshtatshme për të siguruar punësimin, dhe të kujton të njëjtën strategji si me “propozimet e pakërkuara” për koncesione, ku vetë kompanitë vendosin rregullat për procedurën e tenderit, dhe po kjo kompani shpallet fituese e koncesionit.

Me fjalë të tjera, tre format e keqadministrimit, që Avokati i Popullit të BE-së ka gjetur në rastin e emërimit të Selmayrit, kanë korrelacione të drejtpërdrejta në Shqipëri dhe të gjitha janë toleruar, në mos promovuar, nga vetë Delegacioni i BE-së në Tiranë.

Kjo përsëri tregon se korrupsioni në Shqipëri nuk është një problem thjesht i brendshëm – është një problem në të cilin ndërkombëtarët luajnë rolin e tyre, duke udhëhequr “me shembullin e tyre”. Bashkëveprimi i tyre në korrupsion, qoftë në Tiranë apo në Bruksel, e ul besueshmërinë e tyre dhe fuqinë e ndikimit mbi qeverinë shqiptare, dhe sigurisht e dëmton pozitën e tyre morale. Trajtimi i çështjes Selmayr nga Komisioni Europian tregon gjithçka që duhet të dimë rreth qëndrimit të vërtetë të Komisionit ndaj korrupsionit: për sa kohë që e bëjmë ne, në rregull është.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>