Komisioni Europian ka nisur shqyrtimin e kërkesës së qeverisë holandeze për pezullimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë në zonën Shengen. Me anë të një njoftimi për shtyp, zëdhënësja e KE-së Natasha Bertaud tha se Komisioni do të vlerësojë kërkesën dhe pastaj do të informojë Këshillin dhe Parlamentin e BE-së:
“Komisioni [Europian] tani do të vlerësojë me kujdes kërkesën bazuar në informata të konsiderueshme, lidhur me rrethanat specifike… Sigurisht, vendimet për pezullimin e udhëtimit pa viza nuk mund të merren lehtë dhe çdo hap që çon drejt rivendosjes së mekanizmit të vizave do t’i nënshtrohet vlerësimit dhe analizës shumë të kujdesshme.”
Më 16 prill, parlamenti holandez miratoi një mocion ku i bëri thirrje qeverisë holandeze t’i kërkojë Komisionit Evropian nisjen e procedurës për rivendosjen e vizave me Shqipërinë për zonën Shengen. Më 31 maj, qeveria holandeze i kërkoi zyrtarisht Komisionit Europian rivendosjen e mekanizmit të vizave për shqiptarët.
Shkak për këtë nismë të parlamentit dhe qeverisë holandeze është rritja e kriminalitetit nga emigrantët shqiptarë në Holandë. Këta të fundit përfitojnë nga lëvizja e lirë në zonën Shengen për të udhëtuar drejt Holandës dhe më pas rrinë aty ilegalisht dhe përfshihen në akvititet kriminale. Një tjetër shqetësim për Holandën është numri gjithnjë e në rritje i migrantëve të paligjshëm nga Shqipëria, kryesisht të rinj që dëshirojnë të fillojnë një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar dhe përdorin Holandën si rrugë kalimi. Numri i aplikimeve për azil në Holandë nga shtetasit shqiptarë është gjithashtu i lartë dhe shqetësues për qeverinë holandeze.
Megjithëse në Shqipëri kjo nismë u interpretua nga qeveria shqiptare si e nisur nga opozita për të përbaltur Shqipërinë apo si manovër e vendeve të BE-së përpara zgjedhjeve për Parlamentin Europian, nisja e procedurave nga KE tregon se kjo është një çështje serioze të cilën Holanda do ta vazhdojë.
Siç Exit.al ka shpjeguar më parë, gjasat që kërkesa e qeverisë holandeze për ndalimin e hyrjes së lirë të shqiptarëve në zonën Shengen të gjejë mbështetjen e shumicës së anëtarëve të BE-së nuk janë shumë të larta. Megjithatë, kjo nismë jep një sinjal shumë të fortë se parlamenti holandez nuk ësht i kënaqur me punën e qeverisë dhe se gjasat që të votojë kundër hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë janë të larta.