Komisioni Europian publikoi sot programin e konferencës së donatorëve më 17 shkurt në Bruksel.
“Kjo konferencë që organizohet nga presidentja Ursula Von der Leyen dhe Komisioni Europian ka për qëllim mbështetjen për fazën e rindërtimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit në Shqipëri,” sqaroi Dana Spinant, zëdhënëse e KE-së.”
Konferenca do të nisë në mesditë, fillimisht me nënshkrimin nga Kryeministri Rama dhe presidentja e KE-së Von Der Leyen të dokumentit për dhurimin e 15 milionë eurove nga vetë KE.
Më pas në orën 14:30 do të nisë konferenca ku do jenë dhe presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhe eurokomisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimit Olivér Várhelyi dhe eurokomisioneri për Ndihmën Humanitare, Janez Lenarcic.
“Komisioneri Olivér Várhelyi do të hapë dhe mbyllë sesionin e angazhimeve të donatorëve në këtë konferencë, ndërkohë që komisioneri Janez Lenarcic do të prezantojë përgjigjjen e emergjencës që ka dhënë Bashkimi Europian për tërmetin në Shqipëri, si dhe vlerësimin e nevojave lidhur me dëmet e tërmetit,” sqaroi zëdhënësja.
Në konference do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, shtete anëtare të Bashkimit Europian dhe shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Sot konfirmoi pjesëmarrjen në konferencë dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau.
Në përfundim të konferencës presidentja e KE-së Von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama do të mbajnë një konferencë për shtyp.