Komisioni Evropian kundër projektligjeve të medias të miratuara në komisionet parlamentare

Nga Redaksia
Komisioni Evropian kundër projektligjeve të medias të miratuara në komisionet parlamentare

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka pohuar se ndryshimet e bëra mbrëmë në projektligjet e mediave nuk kanë përfshirë të gjitha rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama reagoi duke thënë se projektligjet janë miratuar 100 përqind nga OSBE-ja dhe ato do të hyjnë nesër për miratim në parlament. Rama botoi edhe versionin e fundit të projektligjit.

Delegacioni shkroi në deklaratën e tij se:

“Komisionet parlamentare kanë miratuar mbrëmjen e kaluar një draft të rishikuar të paketës. Megjithatë, në draft nuk janë marrë parasysh disa rekomandime të bëra nga aktorët ndërkombëtarë dhe kështu drafti ende ngre shqetësime. Është e rëndësishme që të gjitha këto rekomandime – të përsëritura sot nga Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic – të merren parasysh siç duhet para se drafti përfundimtar të kthehet në ligj.”

Kryeministri Rama reagoi në Twitter vetëm pak minuta më pas:

“Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vienës nën drejtimin e @harlemdesir.”

Rama paralajamëroi se pas miratimit të ligjit në Kuvend, qeveria do të hartojë akte të tjera nënligjore për zbatimin e këtyre dy ligjeve.

Përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Harlem Desir, konfirmoi pjesërisht fjalët e Kryeministrit Rama. Ai shkroi në Twitter se “janë bërë disa ndryshime në projektligj”, dhe se OSBE do të punojë për “të ulur gjobat dhe për të hartuar akte nënligjore që të mos lejojnë abuzime.

Më herët, Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović i kërkoi Kuvendit të mos miratojë paketën e ligjeve për median, të cilat nuk janë në përputhje me standardet europiane të të drejtave të njeriut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>