Komisioni Evropian ka lajmëruar se do të nis hetimin mbi prokurimet e qeverisë Rama. Në veçanti ato do të përqendrohen në koncesionin e aeroportit të Vlorës dhe të linjës ajrore Air Albania. Komisioneri për Zhvillim Johannes Hahn tha se:
“Komisioni ka planifikuar tashmë një hetim mbi respektimin e kuadrit ligjor të prokurimeve publike dhe të ndihmës së shtetit nga qeveria shqiptare, përmes angazhimeve teknike të ndryshme në vend.
Komisioni është në dijeni të ankesave në lidhje me shkeljen e Marrëveshjes së Atabilizim-Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së në lidhje me procedurat për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, dhe të linjës ajrore Air Albania.
Dhënia e kontratave publike në respektim të së drejtës së barazisë ëshët deturim i MSA-së dhe Organizatës Botërore të Tregtisë, ndaj dhe është një nga objektivat kyçe të vlerësimit. Shërbimet e Komisionit e kanë theksuar këtë gjë në bisedimet me autoritete shqiptare”.
Në shkurt të 2019, Deputeti austriak i Parlamentit Evropian (PE), Paul Rübig, i ka kërkuar sqarime drejtueses së politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së, Federica Mogherini, në lidhje me shkeljet e mundshme ligjore nga ana e qeverisë shqiptare, për krijimin e kompanisë “Air Albania” dhe për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Deputeti i PE-së e pyeti Mogherini-n edhe se çfarë masash do të marrë Komisioni Evropian ndaj Shqipërisë, nëse në këto dy raste janë shkelur rregullat e prokurimit, të konkurrencës së lirë dhe nëse është shkelur Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe normat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).
Në janar 2019, këto dy projekte u diskutuan edhe në parlamentin holandez. Deputeti Pieter Omtzigt i kërkoi qeverisë holandeze një sërë sqarimesh në lidhje me këto dy projekte. Në përgjigje ndaj deputetit, Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Stef Blok konfirmoi se Komisioni Evropian do ta trajtojë shkeljen e mundshme të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga qeveria shqiptare.
Ndërkohë, “Air Albania” nuk arriti kurrë të nisë punën dhe tashmë duket se praktikisht nuk ekziston. Ajo u përdor vetëm në pak raste nga Kryeministri Rama për fluturime në Stamboll me të ftuar të tij. Publiku nuk e ka mësuar ende se si u përballuan shpenzimet për fluturimet e Kryeministrit.
Mesa duket edhe ndërtimi i Aeroportit të Vlorës ka ngecur plotësisht. Një vit më parë, Kryeministri Rama njoftoi se ndërtimin e aeroportit do ta bënte një kompani turke, pa tender, pas propozimit të pakërkuar që ajo i kishte paraqitur qeverisë.