Komisioni Evropian pritet të japë rekomandim pozitiv për Shqipërinë

Komisioni Evropian pritet të japë rekomandim pozitiv për Shqipërinë

Komisioni Evropian pritet të rekomandojë nesër hapjen e negociatave për Shqipërinë. Mediat gjermane shkruajnë se sipas një kopje të raportit, KE ka vlerësuar pozitivisht punën e vendeve të Ballkanit dhe do të përkrahë zgjerimin e BE-së duke rekomanduar hapjen e negociatave dhe për Maqedoninë.

Për Serbinë dhe Malin e Zi, që prej disa vitesh kanë hapur negociatat, raporti nuk parashikon datë të saktë për anëtarësimin në BE.

Raporti, pavarësisht mbështetjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, thekson se korrupsioni, krimi i organizuar, demokracia dhe sundimi i ligjit, dhe konfliktet mes vendeve janë ende çështje të pazgjidhura nga qeveritë e BP-së.

Nëse raporti i 17 prillit rekomandon hapjen e negociatave për Shqipërinë, kjo do të ishte hera e dytë që KE bën të njëjtin rekomandim.

Dy vite më parë, në 2016-ën, progres-raporti ku KE rekomandonte nisjen e negociatave pas plotësimit të pesë prioriteteve kyçe, -reforma në drejtësi, reforma e administratës publike, lufta ndaj korrupsionit, lufta ndaj krimit të organizuar, dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut,- u miratua në Parlamentin Evropian pas disa muajsh, dhe me shumë ndryshime nga raporti fillestar.  Megjithatë, në maj raporti nuk u miratua zyrtarisht nga Këshilli i Evropës, pasi Austria vuri veton.

Për bërjen publike të progres-raportit, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini dhe Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn do të vizitojnë nesër Tiranën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>