Një javë përpara vendimit të Samitit të Këshillit të Evropës për hapjen ose jo të bisedimeve me Shqipërinë, Komisioni Evropian ka refuzuar të shfrytëzojë mundësinë për t’i kujtuar Kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij për rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, që vetë Komisioni pretendon se është rezultati i dëshiruar i reformës në drejtësi.
Në përgjigje të dy pyetjeve të bëra nga Exit, zëdhënësja e BE-së refuzoi të konsideronte alarmin e ngritur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Unioni i Gjyqtarëve, dhe së fundmi, nga Komiteti i Helsinkit për rrezikimin e pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri.
Exit e pyeti Komisionin Evropian: “A e mbështesni ju deklaratën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë se qeveria duhet të ndalojë së paragjykuari proceset gjyqësore?”
Zëdhënësja e BE-së iu përgjigj:
“Ne i mbajtëm shënim deklaratat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në lidhje me pikëpamjet e shprehura nga disa zyrtarëve të qeverisë për disa procese ligjore të Prokurorisë së Durrësit.
Sikurse përmendi edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, çdo prokuror i dyshuar se është i përfshirë në një vepër penale duhet të raportohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ndërsa dyshimet për shkelje disiplinore duhet të raportohen tek Prokurori i Përgjithshëm (deri në emërimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë)”.
Exit pyeti më tej: “A ndani ju të njëjtin vlerësim me Kryeministrin Rama se ‘ekziston një “organizatë kriminale e prokurorëve dhe gjyqtarëve super të korruptuar të cilët punojnë çdo ditë të kapin ç’të kapin’?
Sërish, Komisioni Evropian dështoi të vlerësojë seriozitetin e deklaratave të Kryeministrit, madje të krijohet përshtypja se Komisioni në mënyrë të heshtur mbështet vlerësimin e tij.
“BE pret që çdo provë për shkelje apo vepra penale të kryera nga magjistratët të raportohet në mënyrë që autoritetet kompetente t’i hetojnë”.
Përgjigjet duket se janë goditje direkte ndaj atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë drejtuar me shpresë komunitetit ndërkombëtar që mbikqyrë reformën në drejtësi, pasi asnjëra prej përgjigjeve nuk trajton kërcënimin që paraqet Rama ndaj gjyqësorit të pavarur dhe procesit të vetingut, të cilat janë në thelb të parimeve të reformës në drejtësi.
Është vërtetë domethënëse që Komisioni Evropian dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë nuk lënë asnjë mundësi t’ju kalojë pa ju bashkuar Kryeministrit Rama në sulmet ndaj gjyqtarëve “të korruptuar”, ndërsa nuk kanë denoncuar qoftë një herë të vetme korrupsionin e kudogjendur të politikanëve, provat e të cilit janë shfaqur qartë në media.
Damian Gjiknuri, Vangjush Dako, Saimir Tahiri, Ulsi Manja dhe dhjetra politikanë socialistë janë dyshuar për përfshirje në korrupsion, trafik droge, blerje vote, ndërtime të paligjshme… Lista vazhdon dhe është aq e madhe sa është kokëfortë heshtja e Komisionit.
Çështja që po ngre nuk është se nuk ka gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar; pa asnjë dyshim të tillë ka plot dhe ata po i nënshtrohen vetingut. Por mbrojtja e vazhdueshme dhe mbështetja që Komisioni Evropian i ka dhënë “organizatës së strukturuar kriminale” që është qeveria e tanishme do të bëjë që nga hiri i reformës në drejtësi të mos ngrihet kurrë një gjyqësor i pavarur.
Një gjyqësor i pavarur mund të ekzistojë vetëm nëse politikanët nuk do të munden më ta korruptojnë gjyqësorin dhe ta përdorin atë për përfitimet dhe pandëshkueshmërinë e tyre. Komisioni Evropian nuk arrin ta kuptojë këtë fakt të thjeshtë.
Dobësia që Komisioni Evropian tregon përballë një udhëheqësi me prirje autokratike si Edi Rama, me shpresën që të mos acaruar askënd në vigjilje të mbledhjes së Këshillit Evropian, nuk është thjesht e pafalshme—është e papërgjegjshme.
Me përgjigjen e tij, Komisioni Evropian ka tradhëtuar çdo parim që ai pretendon se mbron, dhe mbi të gjitha vetë parimet mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian.
Si qytetar dhe taksapagues i BE-së: Ky është mallkim për ta dhe për shtëpinë tonë të përbashkët!