Komisioni i Ekonomisë ka shtyrë votimin për shkarkimin e drejtoreshës së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare Enkeleda Shehi, që duhet të zhvillohej sot. Mospjesëmarrja e deputetëve të Partisë Demokratike e Lëvizjes Socialiste për Integrim, bëri që të mos arrihej numri i nevojshëm i deputetëve për votim.
Shkarkimi i Enkeleda Shehit nga posti i drejtoreshës së AMF-së është kërkuar nga Bordi i këtij autoriteti. Në letrën drejtuar Komisionit të Ekonomisë, Bordi i AMF-së shkruan se Zonja Shehi nuk ka zbatuar rezolutat e Kuvendit dhe ka shkelur një sërë rregullash të tjera.
Enkeleda Shehi, prej vitit 2014, është Drejtoreshë e Përgjithshme e AMF, emëruar nga Kuvendi, me një mandat 5-vjeçar. Zonja Sheshi, de facto, e drejton AMF-në që prej vitit 2012, kur mbante postin e kryetares së Bordit, pasi me ligjin e vjetër, kryetarja e Bordit drejtonte autoritetin.
Më aparë ka qenë dhe nënkryetare e Bordit të AMF-së.
Një vit më parë, AMF u kritikua se me anë të politikave të saj rriti në mënyrë të menjëhershme me 25 për qind të siguracioni të automjeteve.