Komisioni i Venecias del zbuluar: ka shtyrë vetëm miratimin e opinionit për Shqipërinë

Nga Exit News
Komisioni i Venecias del zbuluar: ka shtyrë vetëm miratimin e opinionit për Shqipërinë

Komisioni i Venecias ka vazhduar normalisht funksionimin e tij, pavarësisht krizës së koronavirusit, duke provuar se arsyeja që dha për shtyrjen e opinionit për Shqipërinë ishte justifikim për të mbuluar arsyen e vërtetë.

Komisioni i Venecias hoqi nga kalendari i punimeve të tij miratimin e opinionit përfundimtar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, parashikuar për t’u shqyrtuar të premten e shkuar, më 20 mars.

Arsyeja e dhënë ishte kriza e koronavirusit që ka bërë të pamundur mbledhjet e Komisionit.

Përkundër këtij përshkrimi, pikërisht të premten, Komisioni miratoi dhe publikoi të paktën tre opinione, respektivisht për Armeninë, Kirgistanin dhe Moldavinë.

Duhet theksuar se në njoftimin zyrtar Komisioni pohon se, për shkak të koronavirusit, opinionet u miratuan më një procedurë të shkruar, e ndryshme nga ajo e zakonshmja.

Por Komisioni nuk ka sqaruar se përse nuk përdori të njejtën procedurë për rastin e Shqipërisë, por vendosi ta shtyjë miratimin e opinionit për të në qershor.

Ky fakt duket se konfirmon informacionin e Exit News se shkaku i vërtetë për shtyrjen e miratimit të opinion ka qënë trysnia e qeverisë shqiptare për të ndryshuar draft opinionin duke zbutur tonet kritike të opinionit  në lidhje me procesin e vetingut.

Duke qenë se autorët e opinionit kanë refuzuar të ndryshojë gjetjet dhe përfundimet e tyre, Komisioni ka vendosur ta shtyjë çështjen për të fituar kohë dhe vepruar sipas rrethanave që do të krijohen.

Në draft opinionin e lëshuar dy javë më parë, Komisioni kritikon direkt një sërë rregullash e procedurash të ndjekura në procesin e vetingut të magjistratëve dhe bën thirrje që disa raste duhet të rivlerësohen pasi shkeljet janë aq të rënda sa mund të kenë çuar në vendime të padrejta ndaj magjistratëve të vetuar.

Qeveria shqiptare dhe Komisioni Evropian, të cilët janë hartuesit e reformës në drejtësi, kanë treguar mungesë totale gadishmërie për të pranuar kritika dhe bërë përmirësime në reformën në drejtësi, pavarësisht disa dështimeve serioze të saj, përfshi mbetjen e vendit pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese prej më shumë se dy vjet, çfarë ka sjellë pasoja negative direkte për qytetarët.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>