Komisioni i Venecias kundërshtoi sot paketën antishpifje të miratuar në dhjetor 2019.
Në draft opinionin e tyre, Venecia e quan paketën ligjore një mjet që përkeqëson lirinë e medias në Shqipëri.
Komisioni ngre dyshime të thella për pavarësinë e Autotitetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe pohon se dhënia e kompetencave të zgjeruara cenon lirinë e medias.
“AMA merr fuqi të mëdha administrative në lidhje me median online. Kjo është problematike në lidhje me lirinë e shprehjes së mediave online, duke pasur parasysh se ekzistojnë dyshime për pavarësinë e atyre organeve; këto kompetenca të reja nuk duhet t’i besohen këtij institucioni pa siguruar më parë se ai është mjaftueshëm i pavarur nga partitë politike, bizneset e mëdha të mediave ose interesat e lidhura me politikën.”
Komisioni argumenton se procedura ligjore për kundërshtimin e vendimeve të dyshimta të AMA-s nuk ofron garanci të mjaftueshme mbrojtëse, pasi vendimet e saj kanë efekt të menjëhershëm.
“Duke marrë parasysh që AMA mund të ndërhyjë kryesisht në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe pavarësia e saj është e diskutueshme, procedura e ankimimit nuk ofron masa mbrojtëse proceduriale të mjaftueshme: AMA mund të vendosë në mënyrë shumë të shpejtë. Procedura administrative, gjobat e rënda dhe heqja e përmbajtjes në internet kanë efekt të menjëhershëm.”
Në lidhje me gjobat e parashikuara në ligj, Venecia i konsideron ato si “jashtëzakonisht problematike për lirinë e medias” dhe që “mund të konsiderohen si një mënyrë indirekte për të ushtruar presion në media”.
Opinioni sqaron më tej se kapaciteti ekonomik i një portali online nuk merret parasysh nga AMA në rastin e gjobave, duke çuar në një situatë ku “media të vogla të paralizohen nga gjoba joproporcionale”.
Venecia kritikon dhe parashikimet ligjore të cilat nuk garantojnë pezullim të gjobave ndaj mediave online në rast ankimimi në gjykatë. Komisioni argumenton se “procedurat gjyqësore në raste të tilla duhet të kenë një efekt pezullues dhe gjykatat duhet të kenë fuqinë të rishikojnë përmbajtjen e vendimeve”.
Në lidhje me regjistrimin e portaleve tek AMA, Venecia e konsideron në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe një mjet joefikas.
Në përfundim, Komisioni i Venecias mbështet idenë e “krijimi të një institucioni vetërregullues, që funksionon në mënyrë efektive dhe përfshin të gjithë aktorët përkatës në fushën e mediave.”