
“Veprimet e Presidentit janë në përputhje me Kushtetutën. Ndaj nuk ka asnjë bazë për shkarkimin e Presidentit”, – shkruhet në opinionin paraprak të Komisionit të Venecias mbi ligjin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Venecias, veprimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese kanë qënë të dyshimta.
Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias do të publikohet më 20 mars.
Më 30 dhjetor, Kuvendi i kërkoi Venecias opinion në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti Meta, përkatësisht për emërimin e Marsida Xhaferllarit dhe mosemërimin e Arta Vorpsit.
Kërkesa e Kuvendit u dërgua pasi me 5 dhjetor, disa deputetë i kërkuan Kuvendit që Komisioni hetimor ndaj Presidentit të shqyrtojë edhe këto dy dekrete të tij.
Nga ana tjetër edhe Presidenti i dërgoi më 21 janar Komisionit të Venecias pyetjet e tij në lidhje me këtë ligj.
Në 10 shkurt, përfaqësues të Komisionit të Venecias u takuan me Presidentin Meta dhe me Kryetarin e Kuvendit Ruçi për të diskutuar mbi ligjin e emërimit të anëtarëve të GJK.