
Komisioni i Venecias nuk ka dhënë një opinion ligjor mbi kërkesën e qeverisë së Kosovës për kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe mandatimin e një kandidati nga partitë jo fituese për të formuar qeverinë e re.
Komisoni, sipas njoftimit të qeverisë Kurti, ka thënë se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe vëtëm pas saj nëse do te jetë nevoja do të japë një mendim.
“Pasi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme deri më 29 maj, duke e pezulluar veprimin e Dekretit të Presidentit, dhe meqë Gjykata po e trajton këtë çështje, Komisioni ka vlerësuar që të respektojë vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi veçse ka veprua”r”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Më 2 maj, Kryeministri Albin Kurti i kërkoi Komisionit të Venecias një opinion ligjor për kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe mandatimin e një kandidati nga partitë jo fituese për të formuar qeverinë e re.
Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese në Kosovë pezulloi në mënyrë të përkohshme dekretin e Presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit si kandidati për kryeministër dhe formuesi i qeverisë së re.
Ky vendim është i përkohshëm deri në shqyrtimin e plotë të çështjes dhe marrjen e mendimit nga institucionet e Presidentit, qeverisë, parlamentit dhe Avokatit të Popullit.