Komisioni i Venecias do të shqyrtojë me procedurë normale, në seancën e dhjetorit kërkesën e Presidentit Ilir Meta për kodin e ri zgjedhor.
Në letrën dërguar, Metës, sot (27 tetor), Komisioni i Venecias njoftoi se:
“Byroja e Komisionit ka vendosur, e ndikuar nga koha e shkurtër e mbetur para seancës së ardhshme plenare dhe të kompleksitetit të çështjes, për të mos autorizuar procedurën urgjente. Prandaj, mendimi do të përgatitet në procedurën e zakonshme dhe do t’i paraqitet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim në dhjetor”.
Komisioni u shpreh se opinion do të hartohet sebashku me ODIHR.
“Shfrytëzoj këtë rast për t’ju falënderuar edhe një herë për besimin tuaj tek Komisioni i Venecias”, përfundon letra e Komisionit.
Presidenti Meta nuk e dekretoi kodin zgjedhor dhe vendosi t’i drejtohet Komisionit të Venecias për mendim.
Kryeministri Rama u shpreh se nuk do ta presi mendimin e Komisionit, për shkak të kohës së shkurtër për të përgatitur zgjedhjet, dhe kodin do ta rimiratojë të enjten (29 tetor).
Vendimi i Kryeministrit është në kundërshti me këshillën e BE-së për të pritur mendimin e Venecias, përpara se ta rimiratojë.