Komiteti i Çështjeve Ligjore në Parlamentin Evropian vendosi sot se László Trócsányi, kandidat për Komisioner Evropian të Fqinjësisë e Zgjerimit dhe Rovana Plumb, kandidate për Komisionere të Transportit nuk mund të ushtrojnë dot funksionet e tyre në përputhje me marrëveshjet e BE-së dhe Kodin e Etikës. Kështu lajmëron sot portali europian i lajmeve European Western Balkans, i cili sqaron se:
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Komunikimit dhe Zëdhënësit të Parlamentit Evropian Jaume Duch, Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli do të pyesë Presidenten e zgjedhur të Komisionit Evropian Ursula von der Leyen se si dëshiron të vazhdojë me listën e propozuar prej saj.
Sipas Politico, është në varësi të Presidentes Von Der Leyen të vendosë nëse do të pranojë rekomandimin dhe të paraqesë kandidatura të tjera, apo do të injorojë vendimin e komisionit dhe do të vazhdojë me dëgjesat në komisionet e tjera të Parlamentit Evropian.
Komisioni i Çështjeve Ligjore vlerësoi se kandidatura e Trócsányit dhe Plumbit janë në konflikt interesi. Trócsányi ka themeluar një zyrë ligjore gjatë kohës që ka shërbyer si Ministër i Drejtësisë në Hungari.
Në deklaratën e tij të lëshuar menjëherë pas vendimit, Trócsányi u shpreh se:
“Padrejtësia e dukshme, mungesa e transparencës dhe shkelja e qartë dhe e vullnetshme e ligjit, e procedurave dhe dështimi për të respektuar principet bazike të demokracisë më kujtojnë kohën të cilën unë mendova se kishe mbaruar.”
Ai lajmëroi se do të kërkojë “të drejtën e tij në gjykatën përgjegjëse”.