“Edhe pse Presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij duke anulluar dhe shtyrë zgjedhjet vendore përtej mandatit elektoral pa një bazë specifike ligjore — këto veprime nuk plotësojnë kushtet serioze të kërkuara për nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit”. Ky është vendimi i raportit të Komisionit të Venecias i publikuar sot.
Në raport sqarohet se pavarësisht se Presidenti nuk ndodhej në kushtet e gjendjes së emergjencës të parashikuar në nenin 170 i Kushtetutës, nisur nga eksperienca e mëparshme në zgjidhjen e krizave politike në vend është e “arsyeshme për presidentin të presë që edhe kjo krizë do të zgjidhet njësoj” me shtyrjen e datës së zgjedhjeve.
Komisioni i Venecias sqaron se pavarësisht gjetjeve të Kuvendit, Presidenti i Republikës nuk mund të shkarkohet “deri në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Madje, Komisioni thekson se:
“Eshtë fatkeqësi që GJK të shqyrtojë si rast të parë këtë çështje. Pavrësisht se plotësimi i Gjykatës Kushtetuese ka gjithmonë interes primar për aktorët politik, pasja në mendje e një çështje kaq specifike gjatë zgjedhjes së gjyqtarëve nuk është situata ideale për sigurimin e pavarësisë së tyre”.
Më poshtë gjeni një koment të zgjeruar të raportit të Komisionit të Venecias:
Presidenti parashtroi se Kushtetuta i ka dhënë të drejtë të vendosë datën e zgjedhjeve, ai edhe mund ti anullojë ato ose të caktojë një datë të re.
Komisioni i Venecias argumentoi se zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë rasti kur Kushtetuta i njeh të drejtën presidentin për të anulluar zgjedhjet. Sipas tyre të drejtat nën nenet c), dh) dhe e) të nenit 92 të Kushtetutës i japin të drejtë Presidentit të miratojë një “vendim negativ”, pra të anullojë aktin që ai ka nxjerrë në lidhje me nënshtetësinë, lirimin nga burgu, heqjen e përfaqësuesve diplomatik. Por pika gj) e nenit 92 për të vendosur një datë zgjedhjesh nuk ia jep këtë të drejtë.
Komisioni shprehet se “kur vendoset data e zgjedhjeve, partitë politike duhet të jenë në gjendje ti japin besim këtij vendimi dhe ndryshimi i këtij vendimi ka nevojë për konsensus të gjerë. Në rastin e dekretit të Presidenti nuk ekzsitonte ky konsensus, që do të mundësonte shtyrjen e zgjedhjeve”.
Nga ana tjetër e drejta e Presidentit për të shtyrë ose anulluar zgjedhjet është e diskutueshme dhe nuk mund të vendoset pa një bazë ligjore specifike. Është e nevojshme që një pushtet i tillë të mund të dalë si shkak i situatave emergjente.
Një nga arsyet e paraqitura nga Presidenti për shtyrjen e zgjedhjeve ishte se ai kishte informacion se më 10 qershor do të digjej Kuvendi. Sipas tij duke qënë në kushtet e emergjencës, ai legjitimohej të shtynte zgjedhjet.
Komisioni i Venecias shprehet se arsyetimi i Presidentit nuk lidhet me nenin 170 të Kushtetutës që përcakton:
“Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.”
Pika 6 e këtij neni përcakton se në rastet e mësipërme nuk duhet të mbahen zgjedhje vendore, të përgjithshme ose referendume.
Ndërkohë, neni 173 saktëson se është Kuvendi ai që shpall gjendjen e emergjencës dhe jo Presidenti. Duke qënë në këto kushte Komisioni i Venecias shprehet se “të drejtat e rrjedhura nga neni 170 nuk mund të shërbejnë si bazë ligjore për Presidentin për të shtyrë zgjedhjet.”
Presidenti në arsyetimin e dekretit parashtroi se për shkak të mungesës së konkurencës, zgjedhjet në këto kushte janë të pakuptimta.
Komisioni sqaron se bojkoti i zgjedhjeve nuk sjell krizë kushtetuese apo paqëndrueshmeri të rregullit publik, por kriza mund të ndodh pas zgjedhjeve nëse partitë politke të zgjedhura nuk bëjnë mjaftueshëm përpjekje për të reformuar sistemin kushtetues dhe për të komunikuar me elektoratin.
Komisioni hedh poshtë pretendimin se cenohet e drejta e votës duke qënë se nuk ka alternativë midis kandidatëve. Sipas Komsionit ishin vetë partitë e opozitzës që vendosën të mos merrnin pjesë në garë.
“Mungesa e partive kryesore PD dhe LSI mund të prekë të drejtën për të zgjedhur mes kandidatëve. Por, sidoqoftë nuk ishte shteti shqiptar që i ndaloi këto parti nga gara në zgjedhje, por vetë partitë vendosën të bojkotojnë zgjedhjet”.
Pretendimi i Presidentit se shtyrja e zgjedhjeve në Shqipëri është në shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke u bazuar në cështjen “Riza kundër Bullgarisë.”, u rrëzua gjithashtu nga Venecia. Ata u shprehën se rasti i Bullgarisë është krejt i ndryshëm nga ai i Shqipërisë.
Në rastin e Bullgari u mbajtën zgjedhjet, nuk kishte arsye për shtyrje. Problemi kryesor isjte se e drejta e votës u shkel. Në rastin e Shqipërisë, të gjithë votuesit mund të votonin, por qytetarët nuk kishin alternativë.