15 organizata thirrje ndërkombëtarëve: Shprehuni kundër paketës antishpifje të qeverisë

Nga Stafi i Exit
15 organizata thirrje ndërkombëtarëve: Shprehuni kundër paketës antishpifje të qeverisë

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) dhe 14 organizata joqeveritare kërkuan sot që ndërkombëtarët të shprehen qartë dhe publikisht mbi dy projektligjet e prezantuara si “paketa antishpifje” nga qeveria dhe që kjo e fundit t’i tërheqë ato.

një postim në Facebook, KSHH tha se ajo dhe 14 organizata që mbështesin median dhe lirinë e shprehjes kanë dalë në një qëndrim të përbashkët kundër këtyre projektligjeve.

KSHH thotë se propozimet e qeverisë i japin Autoriteteve të Mediave Audiovizive (AMA) dhe Komunikimeve Elektronike (AKEP) kompetenca gati gjyqësore, me natyrë sanksionuese ndaj mediave, ndërkohë që këto organe, edhe pse të pavarura sipas ligjit, nuk shërbejnë garanci funksionale për të qenë efektivisht të pavarura, sikurse janë organet e pushtetit gjyqësor.

Organizatat që kanë dalë në një qëndrim të përbashkët kundër projektligjeve janë: BIRN Albania; Civil Rights Defenders; Citizens Channel; Faktoje; Instituti Shqiptar i Medias; Instituti Shqiptar i Shkencave; Këshilli Shqiptar i Medias; Komiteti shqiptar i Helsinkit; Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë; Qendra Res Publica; Qendra Shqiptare MediaLook; Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore; Shoqata e Gazetarëve; Profesionistë të Shqipërisë; Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Organizatat bënë thirrje OSBE-së, BE-së apo dhe Këshillit të Europës që të shprehen qartë dhe publikisht mbi projektligjet “si masa në dhunim të lirisë së shprehjes”. Kjo thirrje ndaj ndërkombëtarëve u argumentua me faktin se shprehja e tyre mund të ndikojë në vendimmarrjen e politikës shqiptare.

Katërmbëdhjetë organizatat – bashkë me KSHH – thonë se është e nevojshme për të patur vetërregullim të medias dhe jo rregullim ligjor të saj.

“Vetërregullimi është kombinim i standarteve që përcakton kodet e duhura të sjelljes për median, të cilat janë të nevojshme për të mbështetur lirinë e shprehjes dhe për të mundësuar që kjo sjellje të monitorohet dhe të mbahet e përgjegjshme. Vetërregullimi ruan pavarësinë e mediave dhe e mbron atë nga ndërhyrjet partizane të qeverisë.”

Liria e shprehjes është garantuar ndërkombëtarisht përmes Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe disa pakteve të tjera ndërkombëtare.

Shqipëria ka mjaftueshëm ligje që rregullojnë çështjet e medias dhe shkeljes prej saj të të drejtave të të tjerëve. Në këtë drejtim ka pasur disa precedentë të gjykuar në sistemin gjyqësor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>