Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet e 30 qershorit, pas vëzhgimit të fushatës zgjedhore, procesit të votimit dhe atij të numërimit.
Shqetësimet kryesore të ngritura nga 115 vëzhguesit e KSHH-së janë mungesa e garës, përdorimi i administratës gjatë fushatës zgjedhore dhe presioni ndaj administratës për të marrë pjesë në votime, si dhe nxitja e sa më shumë votuesve të tjerë të votonin.
Exit.al sjell më poshtë pikat kryesore të raportit të KSHH-së:
Në zgjedhjet vendore morën pjesë rreth 23 për qind e popullsisë.
Nga të dhënat përfundimtare të publikuara nga KQZ, në këto zgjedhje morën pjesë 811,727 zgjedhës ose 22.96 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.
Në raport me pjesëmarrjen e zgjedhësve në zgjedhjet parlamentare 2017, kishte një rënie prej 23.76 për qind të numrit, ndërkohë në raport me zgjedhjet lokale 2015 kishte 24.9 për qind me pak votues.
KQZ u politizua dhe nuk respektoi afatet ligjore për ngritjen e Grupeve të Numërimit të Votave.
Dekreti i Presidentit Meta për anulimin e datës 30 qershor si datë zgjedhjesh, ndau me qëndrimet totalisht të kundërta kryetarin e KQZ-së nga njëra anë dhe katër anëtarët socialist në anën tjetër. Qëndrimet e kundërta dhe debate të shumta u vunë re në të gjitha mbledhjet e KQZ-së.
KQZ nuk respektoi afatet ligjore për ngritjen e Grupeve të Numërimit të Votave (GNV).
Partia Socialiste përdori administratën publike për propagandë dhe në qendrat e votimit ka pasur persona të paautorizuar.
Në Fier e Shkodër, është shfrytëzuar administrata publike për qëllime propagandistike zgjedhore. Punonjësve ju është kërkuar që të votojnë dhe të sigurojnë pjesëmarrjen e një numri të caktuar votuesish nga familjarët e tyre.
Në Bashkitë Elbasan, Durrës, Gjirokastër dhe Tiranë, në mjediset e qendrave të votimit dhe përreth tyre ka patur prezent persona të paautorizuar.
Ditën e votimit dhe pjesërisht gjatë monitorimit, komunikimi i KQZ-së me median dhe publikun shkaktoi në disa raste konfuzion dhe paqartësi.
Gjatë procesit të numërimit ka pasur vonesa dhe incidente. Kështu:
Në një rast shoferi i automjetit të transportit nuk ka lejuar që në makinë të qëndrojë sekretarja, kryetarja e KQV-së dhe polici, me argumentin se në makinën tip furgon nuk kishte vend.
Në disa raste numërimi është vonuar sepse të njëjtët persona kanë qënë edhe komisionerë edhe numërues.
Në disa qendra mjeti i transportit të kutive ka ardhur me vonesë për shkak të distancave të largëta të vendndodhjes së QV-ve.
Numërimi ka filluar më vonesë për shkak të ngritjes së tyre me vonesë apo trajnimit të tyre pikërisht në kohën kur ato duhet të fillonin nga puna.
Partia Socialiste e nisi fushatën zgjedhore para hapjes zyrtare të saj nga KQZ.
Megjithëse fushata zgjedhore sipas Kodit Zgjedhor duhet fillonte me 31 Maj 2019, Partia Socialiste në disa raste ka zhvilluar aktivitete të natyrës politike para kësaj date.
Përfaqësimi i ulët i grave për të kandiduar në zgjedhjet vendore.
Numri total i kandidatëve për Kryetar Bashkie që u regjistruarn në 61 bashki ishte 97, ndër të cilët vetëm 11 femra. Kjo shifër tregon një pjesëmarrje dhe përfaqësim të ulët, afro 10 për qind të gruas për të kandiduar në nivel kryetar bashkie.