Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Procesi i Vetingut është i ngadaltë dhe jotransparent

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Procesi i Vetingut është i ngadaltë dhe jotransparent

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në raportin e tij “Vettingu në vëzhgimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit” për periudhën shtator 2017 deri në prill 2018 kritikon ritmin e ngadaltë të vetingut dhe  lajmëron se kjo mund të përbëjë një kërcënim për aksesimin e drejtësisë nga qytetarët:

Vonesat për ngritjen në kohë e këtyre Këshillave kanë krijuar ngërçe në plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, në emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë, si dhe në ngritjen në kohë të institucioneve të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Periudha tranzitore e reformimit të institucioneve ekzistuese të drejtësisë nuk duhet të pengojë aksesin e shtetasve në drejtësi dhe as të çojë sistemin ekzistues të drejtësisë qoftë dhe përkohësisht në kolaps apo mosfunksionim.

Në rapor, KShH vë re se shpeshtësia me të cilën po zhvillohen dëgjesat nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ndodhin një herë në javë, edhe pse numri i anëtarëve të KPK-së mundëson edhe 4 dëgjesa paralele.

KShH ka kritikuar Ambasadorin amerikane dhe anëtarin e Bordit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) Donald Lu, i cili ka sulmuar hapur Ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, çështja e të cilit do të shqyrtohet në Kolegjin e Apelimit (KA):

Çdo person, pavarësisht nga pozita zyrtare apo statusi publik duhet të respektojë parimin e prezumimit të pafajësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë subjekt i vettingut, duke shmangur çdo formë reagimi që mund të perceptohet si ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në veprimtarinë e institucioneve kushtetuese të vettingut.

Në të njëjtën kohë, KShH ka vënë re se disa nga institucionet të cilat ndihmojnë në procesin e vetingut nuk i bëjnë tërësisht publike procedurat e tyre, në shkelje të ligjit të vetingut:

Procesi i vettingut vijon të shoqërohet me një mungesë të theksuar transparence nga organet ndihmëse për publikun e gjerë, [..] Dy prej këtyre organeve ndihmëse, përkatësisht ILDKPKI dhe DSIK nuk po zbatojnë vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit [..].Argumentat e këtyre dy organeve për mosdhënien e informacionit vijnë sërisht në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore të vettingut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>