Kompania Dunwell Albania ka fituar një tender me vlerë 12 milionë euro nga Operatori i Sistemit te Transmetimit (OST). Dokumentat e tenderit u publikuan nga media SYRI.net. Kompania Dunwell Albania është dega shqiptare e kompanisë offshore, Dunwell Haberman, të regjistruar në Delaware.
Tenderi me objekt ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi dhe traktin dalës të nënstacionit të Burrelit, një nga tenderat më të mëdhenj të zhvilluar nga OST gjatë këtij viti, u zhvillua më nentor 2018. Sipas dokumenteve të siguruar nga Agjencia e Prokurimeve Publike Dunwell Haberman Albania e ka fituar atë me 100 për qind të vlerës limit.
Kompanitë ‘DH Albania’ u bë e njohur pasi u shpall fituese e tenderit me vlerë 18 milionë euro për ndërtimin e segmentit Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja, pjesë e Unazës së Re. Emisioni Të Paekspozuarit bëri publik dokumentin se DH Albania që ka fituar tenderin për ndërtimin e një segmenti të Unazës së Re, ka falsifikuar dokumentet e tenderi , tashmë të pezulluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Ndërsa informacioni se kompania DH Albania është regjistruar në një parajsë fiskale, në shtetin Delaware të SHBA-ve, me përfaqësuese ligjore Nesha Lynn Kumar, shtetase dhe banore e Ishujt Sejshell dhe kishte të gjithë gjasat të ishte një kompani rafti—kompani pa aktivitet, e krijuar për t’u shitur në letër, është bërë publik që më 11 nëntor.