Kompania e afërt me Bashkinë Tiranë merr tenderin për projektimin e Teatrit Kombëtar

Nga Exit News
Kompania e afërt me Bashkinë Tiranë merr tenderin për projektimin e Teatrit Kombëtar

Kompania A&E Engineering ka fituar tenderin për projektimin dhe studimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Shpallja e fituesit u publikua më 5 tetor në Agjensinë e Prokurimeve. Ky tender, me vlerë rreth 500 mijë euro u zhvillua nga Bashkia Tiranë gjatë korrikut.

Bashkimi i kompanive Gjeo Konsult dhe Archispace ankimuan rezultatin e tenderit, por Komisioni i Prokurimit Publik nuk e pranoi ankimimin e kompanive Gjeo Konsult dhe Archispace.

Kompanitë Gjeo Konsult dhe Archispace kishin kundërshtuar vlerësimin me pikë të ofertës së tyre teknike në tender.

Ata po ashtu kërkonin vënien në dispozicion të procesverbalit të vlerësmit të ofertave teknike të të gjithë kompanive që morën pjesë në tender – ky informacion nuk është ende i njohur për publikun.

Shpallet fituese oferta më e lartë

Bashkia Tiranë vlerësoi fituese të tenderit për studim-projektimin e Teatrit Kombëtar ofertën më të lartë që u paraqit në garën me vetëm dy konkurrentë.

Oferta e bashkimit të studios shqiptare “A&E Enginnering” dhe asaj italiane “FM Ingegneria SPA” u vlerësua si fituese pavarësisht se ajo shfrytëzonte 99.9 për qind të fondit limit të vënë në dispozicion – 60,300,000 lekë nga 60,317,899 lekë që ishte fondi.

Oferta e dytë, e bërë nga bashkimi i studiove shqiptare “Gjeokonsult & CO” dhe “Archispace” kërkonte 55,635,000 lekë dhe ishte të paktën 7.8 për qind më e vogël se fondi limit.

Në njoftimin e bërë publik në buletinin e prokurimeve publike, Bashkia Tiranë tregon se e vlerësoi me 96.2 pikë ofertën fituese dhe me 92.2 pikë ofertën e dytë.

Për tenderin në fjalë bashkimi i studiove shqiptare, të cilat sipas të dhënave të mbledhura nga Open Data, nga përvoja e shkuar në tenderë me Bashkinë Tiranë, kryesisht kanë kryer mbikëqyrje punimesh, qenë ankuar duke kërkuar transparencë për procedurën dhe mënyrën se si ishte bërë vlerësimi. Ankesë që, siç thuhet edhe në njoftimin e buletinit, është hedhur poshtë qoftë nga Bashkia Tiranë, po ashtu edhe nga Komisioni i Prokurimit Publik.

Edhe në njoftimin e fundit të bërë në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik Bashkia nuk e ka sqaruar procedurën me të cilën pikëzoi dhe vlerësoi ofertat.

Të dhënat e mbledhura nga Open Data Albania tregojnë se “A&E Engineering” ka fituar së paku gjashtë tenderë publikë me Bashkinë Tiranë me vlerë totale rreth 47 milionë lekë (kliko këtu për të parë më shumë). Ky për studim-projektimin e Teatrit Kombëtar do të jetë i pari tender që merr duke mos bashkëpunuar me “SON Engineering & Construction”.

Në bashkëpunim me këta të fundit, ata kanë kryer studim-projektimin e rehabilitimit të Parkut Rinia, shkollës 9-vjeçare Murat Toptani, zyrat qëndrore të Ujësjellës Kanalizimeve, tregut të fruta-perimeve në Kombinat, si dhe kanë mbikëqyrur punimet për rikonceptimin e Kopshtit Zoologjik.

Nga ana tjetër “SON Engineering & Construction” gëzon bashkëpunime në tenderë publikë, por dhe në projekte private me kompaninë “Fusha shpk”. Kjo dy vite më parë paraqiti si ofertë të pakërkuar ndërtimin në formën e një partneriteti publik-privat të Teatrit Kombëtar dhe krah tij të një kompleksi kullash.

Pjesë e ofertës ishte dhe projekti i arkitektit danez Bjarke Ingels për Teatrin Kombëtar, projekt i cili qe paguar nga kompania private.

Megjithëse diskutimet për partneritet publik-privat në ndërtimin e Teatrit u prishën në janar të këtij viti, Bashkia Tiranë tha se do të vijonte me projektin e Ingels pa sqaruar se në çfarë mënyre ishte marrë dhe me çfarë procedure qe vendosur që ai do të ishte projekti që do të zbatohej.

Ndërkohë nuk kuptohet qartë nëse kompanitë “A&E Engineering” & “FM Ingengneria SPA” me tenderin për studim-projektimin e teatrit do të punojnë projekt tjetër, apo thjeshtë do të plotësojnë anët teknike të tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>