Kompania Albtek energy, që mori 6 vite më parë konçesionin për ndërtimin e incineratorit të plehrave në Elbasan, ka hedhur në gjyq gazetarin investigativ, Artan Rama për prishje imazhi.
Shkrimi i Ramës, publikuar në portavendore.al, raporton se si, në vitin 2016, qeveria e kryeministrit Edi Rama nisi një procedurë të dytë në favor të kompanisë Albtek, për një impiant të prodhimit të energjisë elektrike nga mbetjet.
Aty raportohet për një konflikt gjyqësor mes kompanisë dhe Entit Rregullator të Energjisë, në lidhje me licencimin e impjantit të Elbasanit si prodhues i energjisë elektrike.
Në aktpadinë e ngritur nga kompania Albtek, janë të pabaza aludimet që tregojnë se kjo kompani është favorizuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama në fitimin e kontratave dhe se ajo po shpërdoron paratë e taksapaguesve, raporton BIRN.
“Në përmbajtjen e artikullit që tanimë ka marrë shpërndarje të gjerë, bëhen pohjime paragjykuese, ngrihen vazhdimisht fakte dhe aludime duke përdorur terma si: prapaskena, abuzimi, problemi, larg vëmendjes publike, po merrte jetë, alibia që ngrihet, kleçka, ndërhyrja, po ‘digjen’ paratë tona etj., mbi procedurat e dy kontratave që “Albtek Energy” sh.p.k., ka lidhur me institucione të shtetit shqiptar në lidhje me incineratorin e Elbasanit,” thuhet në aktpadi.
Pyetur nga BIRN, Rama tha se i qëndron shkrimit të publikuar dhe se do ta mbrojë atë në gjykatë.
“Padia është njësoj siç janë këto padi të bëra modë nga biznesi kundër gazetarëve. Qëllimi është që ti të frikësohesh dhe mos shkruash. Duket se ata nuk e vrasin shumë mendjen se çfarë shkruhet aty, por pasi prodhojnë para në mënyra abuzive, tentojnë ose ta blejnë gazetarin ose ta detyrojnë të heshtë përmes padive të tilla,” tha Rama.
Albtek Energji është një kompani e themeluar në korrik 2014, nën pronësi të Stela Gugallja me kapital 100 mijë lekë. Në dhjetor të atij viti, kompania fitoi një kontratë me vlerë 21.6 milionë euro nga qeveria shqiptare për ndërtimin e incineratorit të Elbasanit. Qeveria nuk hapi garë për një projekt të tillë.
Kompania kërkon një dëmshpërblim prej 300 mijë lekësh.
Qeveria shqiptare është vënë nën akuza për favorizim të një grupi kompanish të ndërlidhura, të cilat kanë fituar deri më sot tre kontrata koncesionare për ndërtim incineratorësh, që të gjitha pa garë.