Ambasadorja amerikane ka postuar dje në rrjetet sociale një mesazh të pazakontë, si për nga toni ashtu edhe përmbatja në formë kodi të padeshifrueshëm lehtësisht. Mesazhi i saj ishte:
“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë.”
Pas mesazhit filluan spekullimet se kundër kujt ishte drejtuar mesazhi? Kush ishin ata që kishin bërë marrëveshje kundër reformës? Rama dhe Basha, Rama dhe Meta, Basha dhe Meta? Çfarë veprimesh parashikonte komploti për ta vrarë reformën?
Më vonë mbasdite, ishte Ambasadori i BE-së Soreca që shprehu edhe ai shqetësimin për dëmtimin e reformës.
Ndërkohë Rama, Basha, Meta u ngutën secili të komentonin deklaratën, secili duke lënë të nënkuptohet se ai ishte në anën e reformës në drejtësi dhe shenjestra e Ambasadores ishte kundërshtari politik.
Këto deklarata shtuan edhe më shumë ngatërrimin e opinionit publik.
Burime diplomatike u shprehën për Exit News se problemi që aludoi ambasadorja amerikane është krejtësisht diku tjetër dhe ka të bëjë me një zhvillim të papritur që rrezikon vërtetë të kthejë mbrapa disa nga proceset dhe përparimin formal të reformës.
Luan Daci anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), shkalla e apelimit e procesit të vetingut, është marrë i pandehur nga SPAK për fallsifikim dokumentash: Daci ka qenë i shkarkuar nga organet e drejtësisë në vitin 1997 për shkelje të ligjit, fakt të cilin ai e ka fshehur nga aplikimi për anëtar të komisionit të vetingut.
Fshehja përbën jo vetëm vepër penale në vetvete, por, gjithashtu, e bën Dacin ligjërisht të papërshtatshëm për të kryer funksionin e anëtarit të insititucionit të vetingut.
Edhe pse Daci është akuzuar që një vit më parë ai po hetohet veç tani nga SPAK-ku, mbas një denoncimi të ish-prokurorit dhe ish-anëtarti të KLP-së, Besnik Daci i shkarkuar nga një trupë vlerësimi kryesuar nga Luan Daci.
Nëse Daci dënohet, të gjitha vendimet e vetingut ku ai ka qenë pjesë bëhen të pavlefshme e duhet të ribëhen—jurisprudenca e GJENDJ ka vendosur se ligjshmëria e një procesi është e cënuar nëse gjyqtari, i cili ka dhënë vendimin, është zgjedhur në mënyrë të paligjshme.
Për rrjedhojë, dhjetëra magjistratë që janë përjashtuar nga vendime ku ka qënë pjesë Daci duhet të vlerësohen sërish. Kjo do të sillte hapa mbrapa në procesin e vetingut dhe do të vononte shumë procese të tjera të reformës.
Situata do të bëhej edhe më e vështirë nëse një tjetër anëtar Ardian Hajdari do të provohej se edhe ai është zgjedhur në KPA në shkelje të ligjit, i akuzuar nga Shërbimi Informativ në vitin 2006, kur punonte si avokat, si i përfshirë në një skemë korruptive.
Hajdari gjithashtu është akuzuar se ka deklaruar që ka punuar si avokat, për të plotësuar kushtet e zgjedhjes në KPA, por nuk ka qenë i regjistruar në organet tatimore si i tillë, që do të thotë ose ka gënjyer për punën ose ka kryer evazion fiskal. Gjithashtu, ai akuzohet se nuk flet gjuhën angleze pasi nuk ka paraqitur asnjë dokument të kërkuar për të dëshmuar njohuritë e tij.
Zgjedhja e disa anëtarëve të komisioneve të vetingut, përfshi Dacin dhe Hajdarin, është një nga ankesat e disa prej magjistratëve të shkarkuar në paditë e tyre në Strasburg.
Nëse Daci përjashtohet nga KPA, akoma më shumë nëse përjashtohet edhe Hajdari, rriten gjasat që Strasburgu të rrëzojë procesin e vetingut në përgjithësi, si të kryer nga gjykues të zgjedhur në shkelje të ligjit.
Kjo do të kishte pasoja të mëdha për gjithë reformën duke e “vrarë” atë praktikisht, ashtu sikurse u shpreh ambasadorja amerikane.
Ambasadorja po aludon se hetimi i Dacit nuk është një proces i ndershëm dhe i vërtetë i shtetit ligjor, por është nxitur nga një “një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi”.
Nuk është e qartë se çfarë di ambasadorja për të vërtetat e hapjes së hetimit ndaj Dacit, por aludimi është se denoncimi i Besnik Canit në SPAK dhe çelja e hetimeve nga SPAKU janë bërë si pjesë e “një marrëveshje prapa krahëve” për të dënuar Dacin dhe dëmtuar vetingun.
Se me çfarë justifikimi mund të shpëtohet Daci, kur fakti i pushimit të tij është fakt i njohur publikisht dhe i provuar nga SPAK, është e vështirë të arsyetohet, por një gjë është e qartë, fati i Dacit është tashmë i lidhur me ecurinë zbatimit të reformës: duhet shpëtuar një fallsifikator, për të shpëtuar një reformë.