Çfarë do të mendonit nëse dikush kërkon t’ju shesë një kuletë dhe në vend të një çmimi fiks t’ju kërkojë që ta paguani me një përqindje, të themi 10 për qind, të shumës që do të mbani në kuletë për 10 vitet e ardhshme? Madje nëse nuk do të mbani në kuletë para mbi një shumë të caktuar, shitësi do ju detyrojë të paguani çdo vit një këst fiks për të shlyer vlerën e kuletës?
Çfarë do të thonit nëse blini diçka online dhe shërbimi postar që bën transportin e mallit mos t’ju këkrojë një tarifë shërbimi bazuar mbi distancën apo peshën e asaj që keni blerë, por një përqindje të çmimit të mallit që keni blerë?
Çfarë do të thonit nëse kompania që i shet sahatët matës të energjisë OSSHE-së (kompansië elektrike) nuk ja shet ato për një çmim fiks për njësi, por i kërkon për çdo sahat një përqindje të vlerës në para të sasisë së energjisë që ka matur çdo sahat?
Mund t’ju duken të gjitha të çuditshme dhe mund të mendoni që ai që po ju bën këtë ofertë ju ka marrë për idiot. Mundet, por kjo është, me pak modifikim, formula me të cilën një kompani e dyshimtë dhe e panjohur kineze i ka ofruar t’i shesë qeverisë një sistem të transmetimit elektronik të të dhënave dhe vetë faturave që lëshojnë bizneset. Dhe qeveria, duke bërë gjoja ca ndryshime kushtesh, ka vendosur që të pranojë këtë formulë pagese për këtë shërbim.
Le të sqarojmë se për çfarë bëhet fjalë.
Aktualisht bizneset përdorin kasa regjistruese për lëshimin e faturave për mallrat apo shërbimet që shesin. Disa kompanive të mëdha, për vetë volumin dhe natyrën e shërbimeve që ofrojnë, administrata tatimore u ka lejuar pajisje kompjuterike më të sofistikuara, në vend të kasave të thjeshta që shihen nëpër dyqane.
Kasat apo kompjuterat regjistrojnë të dhënat e të gjitha faturave që lëshojnë bizneset dhe, në fund të çdo dite, totalin e xhiros ja transmetojnë zyrës së tatimeve përmes lidhjes me anë të sistemit GPRS, me të cilin është e pajisur çdo kasë.
Tashmë, Ministria e Financave, ka vendosur që bizneset të raportojnë në kohë reale, pra, jo një herë në ditë, të dhënat e çdo faturimi, madje edhe një kopje elektronike të çdo fature të lëshuar. Në këtë mënyrë, administrata tatimore do të monitorojë dhe kontrollojë më mirë bizneset, do të ketë të dhëna më të plota dhe në kohë reale; do të zbulojë më lehtë abuzimet përmes kryqëzimit automatik të faturave; etj.
Për të realizuar këtë gjë është e nevojshme që të gjitha kasat dhe të gjithë kompjuterat ekzistues të lidhen online me sistemin e tatimeve. Kjo lidhje kërkon dy gjëra: a) një pajisje që është në gjendje të lidhë dhe transmetojë të dhëna nga çdo kasë me sistemin kompjuterik të tatimeve; dhe b) një program kompjuterik (software) që mundëson funksionimin e kësaj lidhjeje dhe mundëson veprime të tjera përpunuese të të dhënave. Natyrisht, sistemi kërkon gjithashtu kompjutera dhe servera më të fuqishëm në zyrat e tatimeve, për të koordinuar dhe regjistruar këtë volum të madh shtesë të dhënash.
Me pak fjalë, kërkohet një sistem pajisjesh (hardware) dhe një program kompjuterik (software).
Sisteme të tilla janë sisteme që përdoren kudo në Shqipëri dhe në botë. Të gjitha sistemet që përdor vetë Ministria e Financave, përfshirë thesarin, doganat dhe tatimet, janë sisteme si ky që kërkohet, por me më pak operatorë apo përdorues brenda sistemit.
Në botë sisteme të tilla janë të kudo ndodhura. Me qindra qeveri, kompani dhe organizata të tjera përdorin sisteme të tilla mijra herë më të fuqishëm dhe më të sofistikuar se ai që po kërkon të prokurojë qeveria shqiptare. Shumë qeveri përdorin sisteme të tilla për administrimin fiskal të vendeve të tyre.
Nga ana tjetër, ka me qindra kompani të suksesshme që ofrojnë me çelsa në dorë sisteme të tilla, që nga gjigandë si IBM, Microsoft dhe Oracle e deri tek kompani më të vogla, por me histori të qarta suksesi dhe cilësie.
Me pak fjalë, bëhet fjalë për sisteme dhe praktika të njohura në botë. Pothuajse në të gjitha rastet, mënyra e prokurimit është standarte: institucionet shpallin tendera apo negociojnë direkt me ofrues të shërbimit, për të cilin paguajnë përmes kontrateve të shërbimit.
Përkundër këtij realiteti të konsoliduar botëror, qeveria shqiptare ka gjetur një metodë novatore, origjinale për të siguruar shërbimin në fjalë.
Ajo ka vendosur të mos e sigurojë këtë sistem me kontratë shërbimi, por t’ja lërë në konçension atij që do e ndërtojë, dhe ta paguajë konçensionarin me një përqindje të vlerës së TVSH-së të faturuar në faturat që do të lëshojnë e transmetojnë tek zyrat e tatimeve të gjitha bizneset e vendit.
Më saktë, formula e zgjedhur është si më poshtë.
Vlera totale e TVSH-së që mblidhet çdo vit ka ardhur duke u rritur mesatarisht me 17 përqind gjatë dekadës së fundit. Ministria e merr këtë vlerë si standart dhe thotë që, nëse mbas instalimit të sistemit vlera, e TVSH-së së mbledhur rritet me më shumë se 11 përqind, atëherë kjo rritje i dedikohet ekskluzivisht kompanisë private. Me këtë arsyetim, ajo do i ofrojë kësaj kompanie 90 përqind të të ardhurave shtesë mbi 11 përqind deri në 15 përqind, dhe pastaj 65 përqind të çdo të ardhur tjetër shtesë.
Kjo do të thotë që nëse qeveria përmirëson mbledhjen e TVSH-së me anë të përmirësimeve dhe investimeve të tjera, të gjitha meritat i kalojnë kompanisë private. Kështu përshembull, përmirësimet që priten të vinë në mbledhjen e tatimeve për shkak të projekteve në zbatim për modernizimin e teknologjisë dhe infrastukturës doganore dhe tatimore të financuara nga një kredi austriake dhe burime të tjera do t’i njihen si meritë, kësaj kompanie private. Nëse qeveria forcon zbatimin e ligjit, përsëri përmirësimet do t’i njihen kësaj kompanie.
Specialistë të ndryshëm kanë llogaritur se edhe një përmirësim minimal i punës së administratës tatimore për mbledhjen e taksave do t’i sillte kësaj kompanie fitime dhjetra milionë euro çdo vit, për 10 vjet rrjesht.
Madje për të mos i krijuar asnjë problem kompanisë, edhe nëse të ardhurat e TVSH-së nuk rriten është parashikuar që qeveria t’ja paguajë me këstë koston e investimit kompanisë private, e cila duket që në fillim vlerë shumë e fryrë.
Është e kotë të gjesh një arsyetim apo justifikim se pse është zgjedhur kjo metodë pagese, pasi nuk ka asnjë arsye teknike apo të shëndoshë. Është thjesht një skemë novatore e grabitjes së popullit nga qeveritarë grabitqarë.