“Çdokush që kalon moshën e parashikuar nga ligji është përgjegjës për veprimet e veta. Është njësoj si t’i thuash një prindi për fëmijën e tij të rritur se mban përgjegjësi për veprimet e tij.”
Këto janë fjalët e Kryeministrit Edi Rama në një intervistë mbi çështjen Tahiri.
Kryeministri, shtetari, artisti, babai shpirtëror i Rilindjes shqiptare ka shprehur kështu konceptin e tij mbi përgjegjësinë—atë koncept që qartësisht qendron në themel të ndjenjës së tij politike, të veprimit të tij politik dhe mbi të gjitha, atë koncept mbi të cilin mishërohet vizioni i tij mbi shtetin, mbi administratën, mbi bashkëjetesën qytetare.
Nëse djali është në moshë madhore, babai nuk mban përgjegjësi për të, thotë Rama. Pra, për ta kthyer diskutimin tek gjenda në konteksitn e të cilës u shpreh koncepti, nëse Tahiri do të ishte përgjegjës për gjërat që akuzohet nga Prokuroria (dhe nga opinioni publik), atëherë përgjegjësia do të ishte vetëm e tij, dhe sigurisht aspak e Ramës, që vetëm sa e ka zgjedhur dhe e ka vendosur në postin e ministrit.
Por edhe nëse në një vend (që ka dinjitetin për t’u quajtur i tillë) një baba nuk burgoset nëse fëmija i tij kryen një krim të rëndë, të gjithë prindërit, edhe ata shqiptarë, e dinë mirë se ka një lloj tjetër përgjegjësie prindërore, edhe pse ajo nuk shprehet përmes dënimit penal: është përgjegjësia e edukimit në mënyrën e gabuar të fëmijës, aq sa ajo i ka shkaktuar dëm shoqërisë.
Kjo është një përgjegjësi morale, dhe jo penale, që sjell dënim shoqëror, shpesh përmes dënimit me heshtje: nuk ke qënë i zoti të edukosh fëmijën tënd, ndaj më mirë hesht, zër një cep dhe mos i jep këshilla të tjerëve.
Kjo çfarë duket se i mungon tërësisht kryeministrit Rama është pikërisht ndjenja e përgjegjësisë morale që në rastin specifik kthehet në përgjegjësi politike.
Pikërisht ajo përgjegjësi politike që ai ka vendosur në themel të ngjitjes së tij në pushtet me protestat që kulmuan me të vdekurit e 21 janarit.
Rama u kërkoi shqiptarëve kokën e Berishës, që sigurisht nuk kishte qëlluar vetë ndaj protestuesve, në emër të asaj që në gjuhën e futbollit quhet “përgjegjësi objektive” dhe në atë të politikës quhet “përgjegjësi politike”—pra, në emër të përgjegjësisë së pamohueshme të atij që bëri të mundur gjendjen, të atij që zgjodhi dhe delegoi personat. Për ta thënë më shkoqur “përgjegjësia e shefit”.
Pa hyrë në teknikalitetet e asaj situate, përgjegjësia e Berishës ishte qartësisht një përgjegjësi politike, dhe gati i gjithë vendi i dha të drejtë Ramës në atë çast, dhe rezultatin e pamë në zgjedhjet që pasuan.
Tani ky kalim, nga përgjegjësia penale në përgjegjësinë politike, për Ramën nuk vlen më, ose të paktën ai nuk mendon se vlen në rastin e një ministri të brendshëm që zbulohet se është përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, as kur të gjithë e dinë që shumë personazhe të rëndësishëm e këshilluan pa rezultat për muaj të tërë Edi Ramën ta hiqte ministrin, pikërisht, për këtë arsye.
Kështu jemi duke u përpjekur të ndërtojmë një shtet të njerëzve të papërgjegjshëm, ku çdokush mbart vetëm përgjegjësinë penale të fakteve që duhet t’i argumentohen dhe provohen atij vetë, dhe ku askush nuk është përgjegjës për rezultatin përfundimtar.
Ajo që Rama nuk arrin të shpjegojë dot është se për çfarë motivi duhet të jetë ai të qeverisë vendin nëse ai nuk merr përgjegjësinë e rezultateve të veprimive të tij politike përballë popullit dhe zgjedhësve të tij.
Por ama e dimë fare mirë si përcaktohet kjo gjendje në politologji: autokraci.