Të paktën tre kontrata koncesionare dhënë nga qeveria Rama janë fituar nga kompani guaskë, pronarët e vërtetë të të cilëve nuk dihen. Këto kompani përfitojnë nga taksimi i ulët për korporatat e vendeve të ndryshme, për shembull Hollandës – e cila konsiderohet si parajsë fiskale për të regjistruar zyrat qendrore aty. Megjithëse nuk zhvillojnë asnjë aktivitetet brenda vendit, këto kompani mjafton të kenë një adresë dhe mund të faktojnë aktivitetin e tyre.
Më pas kompanitë përfitojnë nga ligji hollandez mbi privatësinë për të mos bërë publikë emrat e pronarëve të vërtetë, duke shmangur kështu çdo problem mbi konfliktin e interesit, korrupsionin dhe evazionin fiskal.
“Në koncesionet e mëdha, më shumë se 50 për qind janë fituar nga kompani guaskë. Ndoshta mund të jenë të rregullta dhe është e drejta e tyre të mos ekspozojnë aksionerët, por të paktën këto nuk duhen lejuar të fitojnë tendera publike”, deklaroi Arianita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania.
Më poshtë Exit.al përmbledh shkurtimisht disa prej koncesioneve të fituara nga kompani guaskë:
Koncesioni i hemodializës
Në tetor 2015, Ministria e Shëndetësisë shpalli fituese të koncesionit 10-vjeçar të hemodializës, me vlerë 63.5 milionë euro, kompaninë Dia Evita shpk, kompani e krijuar në bashkëpronësi të kompanisë American Hospital, në masën 15 për qind, dhe kompanisë Evita sh.p.k, në masën 85 për qind.
Kompania Evita ishte një kompani e vogël dhe pa eksperiencë në shërbime të tilla.
Në nëntor 2016, 72,5 për qind e aksioneve të kompanisë Evita iu shitën për vetëm 160 mijë euro një kompanie guackë me emrin ARIMO B.V., ndërsa 27,5 për qind të aksioneve i bleu Ertel Kërçuku.
Kompania ARIMO B.V është e regjistruar në Hollandë, vend i cili, iç e shpjeguam më lart, lejon regjistrimin e kompanive me një administrator dhe zyrë fasadë dhe me pronësi të fshehur. Kompania i ka zyrat në Paasheuvelweg 16 në Amsterdam, në godinën e Crowe Horwath Foederer, një firmë kontabiliteti e cila është e “specializuar në shërbime fiskale, të cilat mund të menaxhojnë ekspozimin dhe riskun ndaj taksave”.
Pra, tashmë 72,5 për qind të aksioneve të koncesionit të hemodializës i ka në zotërim një kompani, pronarët e së cilës nuk dihen.
Koncesioni i laboratorëve mjekësorë
Në prill të 2017, qeveria shpalli fitues të koncesionit të laboratorëve spitalorë në të gjithë spitalet e vendit bashkimin e kompanive Labopharma Sh.p.k (41,7 për qind), Exalab France (25 për qind) dhe AB Laboratory Solutions B.V (33,3 për qind) Hollandë, kjo e fundit përfaqësuar nga Labopharma sh.p.k.
Kompania AB Laboratory Solutions B.V është sërish kompani hollandeze guaskë e specializuar në dhënien e shërbimeve financiare.
Ky koncesion 10-vjeçar i kushton buxhetit të shtetit 7 milionë euro në vit dhe në projektbuxhetin e vitit 2019 është parashikuar që kjo pagesë t’i bëhet kompanisë koncesionare. Megjithëse kontrata mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë është lidhur që prej dy vjetësh, deri më tani kontrata nuk është bërë publike.
Koncesioni i inceneratorit të Tiranës
Në dhjetor 2016, Qeveria Rama vendosi të ndërtojë një incenerator – impiant djegieje – të plehrave për territorin e Qarkut Tiranë, duke përdorur sërish një skemë të Partneritetit Publik Privat (PPP), me vlerë 140 milionë euro për 30 vite.
Kompania Integrated Energy B.V. ishte e vetmja që në maj 2016, përpara se ajo të regjistrohej zyrtarisht si kompani në Hollandë, paraqiti propozimin e pakërkuar në Ministrinë e Mjedisit.
Pas vlerësimit të propozimit, qeveria vendosi të fillojë procedurat e tenderimit për këtë projekt duke e vlerësuar kompaninë me një bonus prej 8 pikëve në krahasim me kompanitë e tjera që do të paraqiten në tender.
Në bordin drejtues të kompanisë është Thomas Walter Hansmann, drejtor i Paul Wurth India Private Ltd., Hans Wallage, përfaqësuesi i ANT Managment, kompani e specializuar në ndërtimin e strukturave që mund të përdoren për fshehjen e evazionit fiskal.
Anëtarët e tjerë të bordit janë Theo Spijkerman dhe Arnaud van der Werf, të dy punojnë për SGG Group, një kompani që ofron shërbime financiare në shumë vende të botës, e specializuar në ndërtimin e trusteve, shpesh të përdorura për evazion fiskal. SSG Group është dënuar në Mbretërinë e Bashkuar për veprën penale të mashtrimit financiar.
Duket se kjo është një tjetër kompani guaskë, e përdorur si mbulesë për marrjen e një tjetër koncesioni të kushtueshëm, qetësisht, duke fshehur korrupsionin, konfliktin e interesit apo pagesën e taksave.