Koncesioni i Rrugës së Kombit, 66 milionë euro nga buxheti i shtetit

Koncesioni i Rrugës së Kombit, 66 milionë euro nga buxheti i shtetit

Ministria e Transportit ka shpallur dje kompaninë fituese për shërbimin e konsulencës lidhur me projektin e koncesionit të autostradës Milot-Morinë. Kompania fituese është “DOLSAR Engineering Inc. Co”. Kështu shkruan sot gazeta Shqiptarja.com.

Më tej në artikull sqarohet se fondi limit për këtë shërbim do të jetë 3.6 milionë euro, pa përfshirë vlerën e TVSH-së. Ky shërbim do të financohet 50 për qind nga Buxheti i Shtetit dhe 50 për qind kompania koncesionare, për një periudhë 5-vjeçare. Në tender kanë marrë pjesë 10 kompani. Oferta e kompanisë “DOLSAR Engineering Inc.Co” u vlerësua me 93.43 pikë. Kompanitë e tjera janë skualifikuar për probleme me dokumentacionin.

Kompania do të mbikëqyrë dhe do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes së koncesionit dhe të marrëveshjeve ose kontratave të tjera të lidhura ndërmjet konsorciumit Catalyst dhe qeverisë shqiptare, për pesë vjet.

Sipas lajmit të bërë publik vjet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, qytetarët do të paguajnë 5 euro për të kaluar në rrugën Milot-Morinë.

Vitin e kaluar, Ministria e Transportit publikoi njoftim zyrtar për ofertën e Konsorciumit Catalyst që ka fituar tenderin për koncesionin e Rrugës së Kombit, segmenti nga Miloti në Morinë.

Kompania koncesionare do të duhet të ndërtojë një urë mbi lumin Drin, të ndërtojë disa segmente të pambaruara të rrugës, të pajisë rrugën me sinjalistikën e nevojshme dhe ta mirëmbajë atë për 30 vjet.

Qeveria shqiptare sipas marrëveshjes koncesionare do t’i paguajë nga buxheti i shtetit 5 milionë euro subvencione për trafikun e munguar në 13 vitet e para. Pra, kompania fituese përveç taksës prej 5 euro të qytetarëve do të marrë edhe 64,9 milionë euro nga shteti.

Deri më tani koncesioni i Rrugës së Kombit po i kushton shqiptarëve rreth 66 milionë euro.

Pranimi i ofertës së Konsorciumi Catalyst i dha fund luftës së gjatë të qeverisë shqiptare për të gjetur një kompani të aftë për të shfrytëzuar projektin infrastrukturor më të shtrenjtë të ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, të papërfunduar ende, i vjen fundi.

Tenderi 

Pas dështimit të tre tenderave, MTI hapi një tender të katërt me kushte të ndryshme. Tenderi u mbyll më 31 maj 2016.

Dy ishin kompanitë konkurrente: Konsorciumit Vendeka, i përbërë nga kompanitë Vendeka (Turqi), Citra (Indonezi), Mau (Turqi), Savronik (Turqi), dhe Vendeka Evropian (Turqia), dhe Konsorciumi Catalyst, i përbërë nga kompanitë Catalyst Viva Das General Contracting  LLC (EBA), Salillari shpk (Shqipëri), Bee Tech (Greqia), Violiap Ateve (Greqi) dhe Kastrati sha (Shqipëri).

Konsorcium Vendeka i kërkoi qeverisë një subvencion prej 5,6 milionë euro duke ofruar një investim prej 321 milionë euro. Ndërsa Konsorciumi Catalyst ka kërkuar 5 milionë euro subvencion për trafikun e munguar për 13 vjet, duke ofruar një investim prej 218 milionë euro.

Ajo çfarë është interesante, dhe ndoshta shpjegon rezultatin e suksesshëm të tenderit të katërt, është fakti se kompania shqiptare Salillari shpk kaloi nga aleanca me Konsorciumin turk Vendeka tek Konsorciumi me kompaninë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ankesa e fundit?

Fillimisht Konsorciumi Vendeka u shpall fitues i koncesionit. Por, Konsorciumi Catalystparaqiti një ankesë në Komisionin për Prokurim Publik (KPP), pasi kishte mbaruar afati zyrtar për ankimim. Ankesa, dhe pse në shkelje të afatit, u pranua të shqyrtohej nga KPP.

Edhe pse si ministri Haxhinasto, ashtu dhe IFC-ja argumentuan se përse Konsorciumi Vendeka ishte fituesi i drejtë i koncesionit, KPP vendosi më 29 gusht 2016, të skualifikonte Konsorciumin Vendeka dhe të shpallte fitues të koncesionit 30 vjeçar  Konsorciumin Catalyst.

Kjo ishte hera e parë (dhe e fundit) që një këshillë e IFC-së u injorua në një prej proceseve të tenderimit të Rrugës së Kombit, nisur që prej vitit 2013.

Menjëherë pas vendimit të KPP-së, më 2 shtator, ministri Haxhinasto dha dorëheqjen për shkak të “angazhimeve elektorale.” Dorëheqja e tij është interpretuar nga opinioni publik dhe media si rezultat i përpjekjeve të qeverisë për të ndërhyrë në tenderin për Rrugën e Kombit. Ministri Haxhinasto pa sukses u përpoq t’i rezistonte ndikimit të atyre anëtarëve të kabinetit pranë kompanisë së ndërtimit Salillari, e cili në vitet e fundit ka marrë projekte të shumta e të majme nga Qeveria Rama.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>