Konfindustria shqiptare vlerëson se ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë për të ndalur fuqizimin e panatyrshem të monedhës Lek kundrejt Euros, është e vonuar dhe jo e plotë.
Administratori i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, përmes një deklarate për median, u shpreh se ndërhyrja me vonesë e BSH-së ka shkaktuar dëme në qindra milionë euro tek kompanitë dhe rrezikon të shkaktojë falimentimin e disa prej tyre.
Sipas zotit Buxhuku, BSH nuk është treguar aspak transparente për shkaqet se përse Euro humbi kaq shumë pikë në kaq pak kohë, dhe përse vendosi të ndërhyjë pikërisht në këtë moment.
Po ashtu, Banka e Shqipërisë nuk sqaroi nëse do të ketë një plan të plotë masash ekonomike, financiare dhe institucionale në bashkëpunim me qeverinë, për të ndaluar që skenare të tillë të mos përsëriten më.
Më 6 qershor, Banka e Shqipërisë ndërhyri duke tërhequr valutën e tepërt në treg, tre javë pasi monedha europiane Euro kishte arritur nivelet më të ulëta historike.
Në vetëm pak ditë, Euro duket se ka fituar disa pikë, nga 124 lekë që shkëmbehej më 5 qershor, në 128 lekë sot.