Konflikti për zonën pa taksa në aeroport tregon sfidat që përballin investimet e huaja në Shqipëri

Nga Exit News
Konflikti për zonën pa taksa në aeroport tregon sfidat që përballin investimet e huaja në Shqipëri

Ambasada Amerikane e cilësoi sot çështjen e krijuar për administrimin e zonës së tregtisë pa taksa në Aeroportin e Rinasit si tregues kryesor të sfidave që hasin investimet e huaja

Përmes një postimi në Facebook, Ambasada tha se:

“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente, në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme”.

Revista Monitor analizoi se kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF), e cila u shpall fituese e tenderit, nuk ka mundur të marrë në administrim zonën pasi ajo pretendohet nga kompania Albanian Duty Free Distribution (ADFD), e cila e administronte deri përpara zhvillimit të tenderit.

Përpara tenderit, Ministria e Financave ia kishte anuluar ADFD-së licencën e ushtrimit të aktivitetit, por Gjykata Administrative e Shkallës së Parë e shfuqizoi këtë vendim.

Konflikti

Në nëntor 2018, kompania ICDF fitoi tenderin hapur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) pasi paraqiti ofertën më të mirë në garë. ICDF-ja fitoi të drejtën e menaxhimit të hapësirës “Duty Free” në aeroport për 5 vitet e ardhshme.

Njoftimi i fituesit u bë në qershor 2019 dhe kontrata u nënshkrua në fund të korrikut. Zbatimi i kontratës duhet të niste në fund të korrikut, kur mbaronte dhe kontrata ekzistuese me ADFD, e cila zotërohet nga Elona Çaushi, bashkëshorte e gjyqtarit Gjin Gjoni.

Mirëpo ADFD kishte nisur paralelisht një betejë për të marrë sërish të drejtën e menaxhimit të zonës pa taksa brenda aeroportit.

Monitor raporton se në maj 2019, ADFD i dërgoi TIA-s ofertë të re financiare. Ajo arriti ta rinovojë në kohë rekord licencën për ushtrimin e aktivitetit tregtar në të njëjtën zonë, edhe pse e kishte humbur tenderin, duke ua fshehur doganave këtë fakt, si dhe faktin tjetër që më 27 gusht i mbaronte kontrata me TIA-n për ambientet ku ushtronte aktivitetin tregtar.

Në mungesë të Ministres së Financave Anila Denaj, licenca është firmosur nga zëvendësministri Elton Haxhi, më 16 gusht, brenda 24 orëve pasi është bërë aplikimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Pas kontraktimit të këtyre fakteve, përmes një auditi të brendshëm, Ministria e Financave nisi verifikimin e ligjshmërinë së procedurave të ndjekura për rinovimin e licencës së ADFD për të vijuar aktivitetin tregtar në Rinas.

Pas këtij auditimi, Ministria e Financave, brenda një periudhe të shkurtër kohore, ia anuloi licencën kompanisë ADFD, për shkak të fshehjes së dy informacioneve, mosfitimit të tenderit dhe skadimit të kontratës së qirasë. ADFD e çoi në gjyq Ministrinë dhe Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, ka pranuar sot kërkesën e kompanisë ADFD për shfuqizimin e vendimit që i anulonte autorizimin për ushtrimin e aktivitetit tregtar në ambientet Duty Free në aeroport.

Gjykatësi i dha të drejtë kompanisë ADFD, me argumentin se Ministria kishte dijeni për situatën në të cilën ndodhej ADFD dhe si rrjedhojë, nuk kishte pse t’ia jepte autorizimin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>