Kongresi i Këshillit të Evropës (KiE) ka vendosur të mos dërgojë mision vëzhgues në Shqipëri për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, për shkak se në zgjedhje nuk ka garë të mirëfilltë. Presidenti i Kongresi i Këshillit të Evropës në një deklaratë për shtyp shprehet se:
“Në vazhdën e zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe të paqartësisë në lidhje me pjesëmarrjen e kandidatëve dhe partive nga i gjithë spektri politik në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale ka vendosur të mos dërgojë misionin e tij për monitorimin e zgjedhjeve.
Duke marrë parasysh faktin se në 31 nga 61 bashkitë ka vetëm një kandidat që kërkon votën vendore, është e vështirë të presësh një garë politike të mirëfilltë, dhe kjo për Kongresin nënkupton rrezik logjistik për të dërguar një mision të plotë në të gjithë vendin, gjë që është procedura standarde gjatë Misioneve Zgjedhore të Kongresit, në përputhje me rregullat tona.
Misionet e Kongresit bazohen në vëzhgimin e zgjedhjeve vendore dhe rajonale me pjesëmarrje të gjerë të forcave të ndryshme politike të një vendi, Kongresi nuk ka vëzhguar kurrë zgjedhje pa pjesëmarrje të mirëfilltë të opozitës. Me këtë çështje lidhet edhe vlerësimi ynë për një mision të sigurt për vëzhguesit tanë.
Vendimi i Kongresit u mor duke mbajtur parasysh të gjithë informacionin në dispozicionin tonë, si për gjendjen politike ashtu edhe për atë logjistike. Kongresi nuk bën deklaratë këtu rreth ligjshmërisë së këtyre zgjedhjeve dhe kjo nuk ka të bëjë me çështjen nëse dhe kur do të zhvillohen zgjedhjet. Ky është vendim autonom që i përket vetëm Shqipërisë”.
Më herët, në një postim në twitter Edi Rama e akuzoi Lulzim Bashën se po gënjen në lidhje me tërheqjen e misionit të vëzhguesve nga KiE. Ai shkroi se:
“Sajo Artist sajo, çdo ditë një sajesë, s’zhgënjen asnjë ditë o Njish.
Po si mund t’u thuash shqiptarëve, Këshilli i Europës mori vendim politik për t’u tërhequr nga zgjedhjet se janë të paligjshme? Tani mezi pres çfarë do thuash kur të dalë rrena në shesh apo rrena tjetër gati?.”