Edi Rama bën dhe di të bëjë vetëm një gjë: Spektaklin. Ai nuk bën punë, por spektakolarizon punën që do të duhej të bënte; nuk qeveris, por ofron spektaklin e qeverisë; nuk dëgjon zërin e askujt, por ofron spektakle dëgjesash publike, ku në fakt është populli që dëgjon oratorinë e tij të pambarimtë. Ne kemi praktikisht qeveri të spektaklit, bashki të spektaklit, parti të spektaklit.
Spektakli dublon punën e qeverisë, dublon gjendjen e shtetit, dublon realitetin e vërtetë të vendit, duke prodhuar një realitet paralel, që ofrohet si e vërtetë ekskluzive. Duke qenë se nuk di të bëjë asgjë, nëpërmjet spektakolarizimit Rama ka mundësi të bëjë gjithçka, sepse spektakli nuk ka nevojë për të bërë diçka, ai nuk ka nevojë për një realitet të vërtetë mbi të cilin të ndërtojë përfytyrimin e vet. Nëpërmjet piarit, marketingut, imazhit, punës regjisoriale, ai mund të paraqesë shkëlqimin verbues të çdo gjëje që, në fakt, nuk ekziston në realitet, ose që ekziston në një gjendje krejt të kundërt me atë që paraqitet.
Rama shkëlqen, kështu, në qeverisje, pa qeverisur në realitet. Ai qeveris vetëm imazhin, duke prodhuar spektaklin e qeverisjes, që i mbivendoset realitetit të qeverisë. E ndërsa vendi ka rrëshkitur në batak, ai vezullon nëpër kopertina, spote publicitare apo power point-e të koperturave qeveritare.
Edhe kongresi i fundit i PS-së ishte i tillë – një spektakël pa kongres. Parimisht kongresi mblidhet sipas një periodiciteti të përcaktuar, përgjithësisht kur bëhen zgjedhjet për strukturat e partisë, ose në raste të jashtëzakonshme, kur merren vendime të rëndësishme, të cilat janë ekskluzivisht atribut i kongresit. Mbledhja e tij spontanisht, pa asnjë arsye statutore, e kushtëzuar nga nevoja të tjera, pa lidhje me funksionet reale për të cilat këto forume ekzistojnë, e bën atë një kongres fals, një ngjarje që të kujton kongreset e PPSH-së, një orgji tragjikomike të fetishizmit ndaj pushtetit, që pozon i fryrë puplash ndaj armiqve që na marrin të keqen.
Pra, kongresi nuk mblidhet për të kryer një funksion, sipas një përcaktimi statutor, por mblidhet për të prodhuar një imazh, për të cilin qeveria ka nevojë në këto ditë të vështira. Dhe imazhi që kongresi duhet të prodhojë është pikërisht që këto ditë të vështira të duken si ditë të lumtura e të sigurta. Të njëjtën gjë Rama e ka bërë nëpërmjet sajimit të asambleve, sa herë që qeveria ka qenë në pikë të hallit nga skandalet që i kanë plasur. Fakti që sot mblidhet kongresi dhe jo asambleja tregon vetëm se pika e hallit kësaj here është më kërcënuese se kurrë më parë. Përtej fasadës, vetë arsyeja e fasadës tregon mjerimin e realitetit.
Si gjithçka tjetër, Rama po e përdor partinë si dekor. Strukturat e saj, forumet, anëtarët, ashtu si edhe ministrat, bashkitë, administra, gjithçka tjetër, janë thjesht rimel e të kuq buzësh për fytyrën e shpërthyer silikonesh të një qeverie të zhgërryer në skandale e rrënim.
Kongresi u mblodh jo për të marrë një vendim, por për të ofruar një shfaqje, sigurisht bajate, por të vetmen të mundshme, nëpërmjet së cilës qeveria kërkon ta paraqesë veten sikur po “çan bllokadën” e po ecën përpara “nga fitorja në fitorje”. Si kurrë ndonjëherë në historinë e politikës shqiptare, kongresi i një partie u shndërrua në një antimiting, për të falsifikuar imazhin e një qeverie që, ndërsa ka prodhuar indinjatë e mllef masivisht, rreket të duket sikur gëzon mbështetje të gjerë popullore. Në shërbim të kësaj u vu jo vetëm partia dhe qeveria, por edhe administrata, e ngulur përdhunshëm në karriget e një skenografie që i përdor ata për dekor.
Guy Debord ka shkruar dekada më parë mbi spektaklin që zëvendëson realitetin deri në asgjësimin e tij. Realiteti i spektakolarizuar asgjëson realitetin e vërtetë, duke bërë që të mos ekzistojë asgjë jashtë tij. Asgjë nuk ekziston jashtë spektakolares dhe gjithçka mund të ekzistojë vetëm si spektakolare.
Në këtë lojë, lufta e qeverisë është të prodhojë spektaklin e imazheve, i cili duhet të jetë sa më verbues, për të mbytur perceptimet që sjell spektakli i skandaleve, që kjo qeveri ka shkaktuar në realitet gjatë këtyre 6 viteve. Për këtë arsye, Ramës do t’i duhet të sforcohet gjithnjë e më shumë, duke sajuar shfaqje gjithnjë e më të çmendura, në përpjekjet e tij të dëshpëruara për t’i mbijetuar katastrofës që ka prodhuar vetë.