Autoriteti i Konkurrencës ka detyruar kompaninë farmaceutike Megapharma që të furnizojë me vaksina antigrip të gjitha farmacitë jashtë rrjetit të saj që janë të interesuara për vaksinën.
Vendimi i AK-së erdhi pasi denoncimeve në media se kompania kishte krijuar monopol të tregtimit të vaksinave kundër gripit, pasi e tregtonte atë vetëm në rrjetin e farmacive të saja.
Gjoba në rast se kompania nuk zbaton vendimin e AK-së do të jetë deri në 10 për qind të xhiros vjetore të vitit të kaluar dhe vendosja e gjobës periodike prej 5 për qind të xhiros ditore deri në zbatimin e urdhrit.
Një ditë më parë, Exit News shkroi se në vend ka mungesa për vaksinat anti-grip, teksa sezoni i griprave ka filluar. Në farmacitë në vend mund të gjehet vetëm një vaksinë antigripit, Influvac, e prodhuar nga kompania shqiptare Megapharma, e cila po shitet vetëm në zinxhirin e tyre të farmacive ‘Orange’.
Ndërkohë vaksina tjetër, Vaxigrip, më e vlerësuara kundër gripit ende nuk është në dispozicion në treg që qytetarët ta blejnë vetë atë. Exit News pyeti farmaci të ndryshme se kur do të mbërrinte dhe shumica thanë se shpresonin që do të furnizoheshin deri në fund të tetorit, por theksuan se nuk kishin asnjë njoftim zyrtar se kur vjen apo se përse nuk është importuar ende.
Për të lexuar më tepër për situatën e vaksinave në vend, lexoni këtu.