Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet nga bashkimi i kompanive Mabetex Group (50%), YDA-Group (48%) dhe kompania 2A Group shpk (2%). Vlera e investimit është rreth 100 milionë euro.
Kush janë këto kompani dhe punët e tyre në Shqipëri:
Mabetex Group
Mabetex, e regjistruar në Zvicër është e njohur për projektet ndërkombëtare të ndërtimeve dhe e drejtuar nga biznesmeni dhe politikani Pacolli.
Në vitin 2017 kompania propozoi idenë për të marrë në zotërim zona toke në parkun e Divjakës dhe Karavastasë me qëllim ndërtimin e dhjetëra komplekse vilash, hotelesh dhe pallatesh.
Projekti propagandohej të kapte koston e investimit prej rreth 1 miliardë dollarësh, shifra që në fillim i tundonin banorët e zonës për ta pëlqyer projektin.
Projekti përfitonte nga lehtësitë fiskale dhe ligjore që krijon ligji i investimeve strategjike i miratuar nga qeveria Rama në vitin 2015. Ndër lehtësirat ishin edhe përfitimi i tokës publike nëse investimi ishte madhor për turizëm.
Mirëpo angazhimi i mjedisorëve në diskutimet publike për të treguar efektet negative dha ndikim dhe banorët iu bashkuan qëndrimit kundër.
Çështja u ndërkombëtarizua për faktin se zona e Divjakë-Karavastasë është strehë e 10 lloje shpendësh të rrallë dhe që njëkohësisht është zonë e mbrojtur me statuse ndërkombëtare Ramsar, IBA dhe KBA. Si përfundim qeveria hoqi dorë nga projekti.
Yda Group
Kompani turke ndërtimi, e themeluar në 1954 në Ankara është e njohur për ndërtimin e. spitaleve dhe rrugëve me Partneritet-Publik-Privat, kryesisht në Turqi. Kompani njihet për lidhjet e afërt me presidentin turk Erdogan.
YDA Group do të ndërtojë edhe spitalin e Fierit në vend. Gjatë inagurimit të fillimit të punimeve, pronari i kompanisë Hüseyin Arslan, në lidhje me projektin u shpreh se:
“Ne si grup, morëm urdhër nga Presidenti ynë, Recep Tayyip Erdoğan, javën e kaluar gjatë vizitës së Kryeministrit të nderuar në Turqi, na instruktuan të finalizojmë. Duhet të dorëzojmë spitalin pas 3 muajsh, ka një bast të madh mbi këtë gjë, e dimë që është një sfidë e madhe, dhe faleminderit për mbështetjen që na dhanë që nga dita e parë”.
Ndërtimin e spitalit presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ia premtoi Kryeministrit Rama, gjatë vizitës së këtij të fundit në Turqi.
Kompania 2A Group shpk
Kompania 2A Group, e regjistruar në Prishtinë është në pronësi të biznesmenit Kosovar Valon Ademit.