Konspekt i fjalimit programatik "Më shumë, me më pak" e udhëheqësit Rama

Nga Alba Mborja
Konspekt i fjalimit programatik "Më shumë, me më pak" e udhëheqësit Rama

Në vazhdën e serisë së takimeve për t’u kërkuar llogari në emër të popullit të gjithë vartësve të tij—të cilët turbullojnë ujin e kulluar që del nga Kryeministria—Udhëheqësi i qeverisë Edi Rama mblodhi dje në Tiranë në një takim të posaçëm ambasadorët e Shqipërisë në botë.

Në ketë takim Udhëheqësi ai mbajti një fjalim të gjatë programatik për diplomacinë ekonomike dhe rëndësinë e saj të madhe për vendin tonë të vogël por krenar. Ai shpalli hapjen e një epoke të re të diplomacisë shqiptare, cila është lënë pas dore për gati tre dekada.

Që në fillim të fjalës së tij, Udhëheqësi u mësoi ambasadorëve rëndësinë dhe vështirësitë e mëdha që përmban në vetvete çështja e diplomacisë ekonomike:

Kjo është padiskutim një temë me një problematikë mjaft komplekse, kërkon një reflektim të thellë, një shoshitje të imët, pikëpamjesh dhe mendimesh, një projekt të plotë dhe një plan të kalendarizuar dhe të mirëartikuluar veprimesh dhe masash.

Udhëheqësi i kritikoi ashpër ambasadorët, duke i quajtur ata “të leshtë”, veçanërisht për punën e dobët të tyre për përhapjen dhe propagandimin e sukseseve dhe ndryshimeve të mëdha të Shqipërisë nën udhëheqjen e tij, duke u shprehur ndër të tjera:

Si ka mundësi që keni qenë kaq të avashtë, ose për ta thënë shqip, kaq të leshtë, për të ndjerë urgjencën e domosdoshmërisë, për të gjetur mekanizmat e duhur, për të ndërtuar platformat, për të hartuar formulat, skicuar rrugët e nevojshme, në mënyrë që realiteti ynë, ky vend që ndryshon me muaj dhe me javë, të pasqyrohet me zhdërvjelltësinë e duhur, angazhimin e vazhdueshëm, aftësinë dhe shprehitë e nevojshme, jashtë kufijve tanë, ku na njohin pak, s’na njohin fare ose më keq akoma, na njohin keq.

Udhëheqësi u shpreh se puna e dobët e ambasadorëve vjen në radhë të parë si pasojë e mentalitetit të vjetër dhe mbeturinave ideologjike që ata kanë në kokë të cilat i kanë lënë ata prapa hapit me të cilin përparon vendi:

Në këndvështrimin tim, kjo lloj rutine ngjan ende qametshëm me kohën kur ky vend ishte ende izoluar dhe i jepte mend gjithë botës. Na duhet një përmbysje e madhe përmes një qasjeje të re, një angazhimi shumë më dinamik. Një vullneti dhe një energjie të ripërtërirë në funksion të zhvillimit të vendit e jo thjesht të përfaqësimit formal të vendit jashtë kufijve. Na duhet kreativitet e pragmatizëm, cilësi të cilat për 1001 arsye, sot janë të fjetura ose mungojnë fare.

A e pyesni ju veten sesa shumë nuk është bërë, me çfarë mund të bëhej prej jush e prej secilës nga përfaqësitë tuaja, për një vend të vogël si Shqipëria në ndryshim të pandërprerë, por dhe me nevoja nga më të ndryshme e më ekzigjentet, me një hall të parrëfyeshëm për të rifituar kohën e humbur, zhvilluar dhe përparuar me një shpejtësi që është e pamëshirshme për shkak të kontekstit ku zhvillohet sot bota, diplomacia klasike le ta quajmë, – kjo e jona për mua nuk është as klasike, por është thjesht atavike, – nuk mund të jetë një opsion me të cilin ne mund të pajtohemi, jo për katër vjet të tjera, por as për katër muaj të tjerë.

Udhëheqësi theksoi se përgjegjësia e punës së dobët të ambasadorëve bëhet edhe më e madhe në kushtet që kapitalizmi po kalon një krizë të madhe dhe bota po ndeshet me rreziqe të mëdha:

Nuk ju them asgjë pa dëgjuar, por dua që ta dëgjoni edhe këtu sot, se kohët kanë ndryshuar rrënjësisht gjithkund përreth nesh, gjeopolitika është përshpejtuar dhe përshpejtohet çdo ditë, kontinenti ku jetojmë është i trazuar. Globalizimi ka cënuar, madje dhe prishur ekuilibra të hershem, duke përshpejtuar vendosjen e ekuilibrave të rinj dhe  shpeshherë në dukje kërcënues.

Përballë këtyre vështirësive botërore, Udhëheqësi i këshilloi ambasadorët të përqafojnë një mentalitet dhe vetëdije të re për të vënë në jetë, së bashku me qeverinë, mësimet e tij në fushën e diplomacisë ekonomike:

Qoftë rreziqet e reja, qoftë oportunitet e reja, kërkojnë një qasje të re, kërkojnë përpjekje dhe zgjidhje të reja, kërkojnë zgjidhje specifike dhe të guximshme, në ndërkohë që vendi ynë dhe shoqëria jonë kanë kërkesa që shtohen, legjitime dhe çdo ditë e më të mëdha, më këmbëngulëse, kërkesa ndaj të gjithëve natyrisht, ndaj qeverisë në radhë të parë dhe kërkesa kudo, në çdo sferë, por sigurisht kjo vlen ndër radhët më të para për diplomacinë tonë dhe shërbimin tonë të jashtëm, sepse kjo sferë mbulon një pjesë të popullit e të kombit tonë që është shumë më e madhe jashtë, sesa brenda.

Udhëheqësi nuk harroi t’u tërhiqte vëmendjen ambasadorëve se nga ata tek vetë udhëheqësi duhet të mbajnë përgjegjësi përpara popullit, duke zbuluar edhe karakterin dialektik të kësaj përgjegjësie—përgjegjësitë sot janë më të mëdha se dje dhe nesër do jenë më të mëdha se sot:

Transformimi që kemi nisur është epokal, por hendeku me ku duhet të jemi është abisimal e për rrjedhojë dhe natyrshëm dhe përgjegjësitë e kujtdo që paguhet nga taksapaguesit sot, përgjegjësitë e mija, përgjegjësitë e përfaqësueseve të lartë politikë, përgjegjësitë tuaja si përfaqësues të lartë të shtetit, jashtë atdheut, janë sot më të mëdha se dje, do jenë nesër më të mëdha se sot dhe harku i përgjegjësisë së rritjes së këtyre përgjegjësive është shumë herë më intensiv se sa ishte qoftë dhe pak vite më parë.

Udhëheqësi u dha mësimet të vlefshme ambasadorëve se si ata do të mund të përmbushin detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në të ardhmen:

E së bashku të përfshijmë të gjithë ata që kanë diçka për të thënë e për të dhënë në këtë proces, për të analizuar dhe konsideruar diskrecionet ligjore, administrative, ekonomike të shërbimit të jashtëm, në promovimin dhe mbështetjen e projekteve, qoftë të investimeve të huaja, qoftë të vetë shkëmbimeve tregtare të vendit; akseset e privilegjuara, ndërhyrjet e mundshme dhe incentivat e domosdoshme për shërbimin e jashtëm për ambasadorët vetë sipas peshës së nismave të organizuara dhe projekteve të përfituara; burimet njerëzore që duhen për këto qëllime, riorganizimet dhe me gjasë strukturat e reja brenda dhe jashtë vendit në shërbim të këtyre qëllimeve; autoritetin shtetëror koordinues të kësaj qasje, pa diskutim me ministrin e jashtëm në krye, por domosdoshmërisht me një përfshirje më të gjerë të aktorëve të tjerë qeveritarë dhe jo qeveritarë.

Në një moment brilant mu si të dalë nga Ferma e Kafshëve e Orwellit, Udhëheqësi u caktoi ambasadorëve moton e punës së tyre—Më Shumë Me Më Pak:

E gjithë qeverisja, që nga qeveria e re do të ngrihet mbi parimin” Më shumë me më pak”. Ky parim do të vlejë edhe për këtë ministri, edhe për ambasadat, edhe për konsullatat tona.

Në fund, Udhëheqësi njoftoi ambasadorët se ata duhet të raportojnë me shkrim tek ai për përmbushjen e mësimeve dhe detyrave që ai u caktoi sot (edhe pse veç fjalëve boshe, Udhëheqësi nuk mundi dot të artikulonte asnjë vizion, ide, koncept apo strategji për çështjen në fjalë):

Do të kërkoj dhe do të pres çdo tre muaj një pasqyrë të detajuar, të personalizuar, për secilën përfaqësi, të përpjekjeve që janë bërë, aktiviteteve që janë organizuar, apo po përgatiten, në një kuadër të gjerë dhe të shtrirë marrëdhëniesh ekonomike e tregtare. Dhe si e sa janë reflektuar ato në volumin e shkëmbimeve në oportunitete për biznes dhe investime, në cilësinë e kontakteve dhe raporteve politike, ekonomike dhe tregtare në të gjitha nivelet. Kontaktet me operatorët e biznesit, me dhomat e tregtisë, me operatorët turistikë, analizat mbi modelet dhe mbi praktikat e të tjerëve, duhet të jenë sot e tutje prioritet i lartë në axhendën tuaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>