Një ish-inspektor i shërbimit të antikontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, i identifikuar vetëm me iniciale, i ka dhënë një intervistë konfidenciale gazetarit Basir Çollaku, në të cilën ai dëshmon mbi kontrabandën që zhvillohet në dogana me bashkëpunimin e punonjësve dhe drejtuesve të rëndësishëm të doganave.
Më poshtë, kemi përmbledhur pikat kryesore të rrëfimit të ish-inspektorit.
- Qeveria ka risjellë në dogana njerëz të pushur në të shkuarën, për shkelje të rënda në detyrë dhe korrupsion. Drejtori aktual i antikontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave është pushuar në vitin 2005 nga drejtor i Doganës së Durrësit dhe shërbimi doganor, për abuzime dhe shkelje detyre me dëm prej 1.5 milionë dollarë.
- Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Doganave dhe njëherazi, drejtor i Drejtorisë së rëndësishme të Hetimit është një person i përzgjedhur direkt nga Kryeministri Rama, i cili ka qenë hetues para viteve 1990 dhe nuk ka asnjë përvojë të mëparshme në dogana. [Bëhet fjalë për Zamir Shtyllën ish-hetus në kohën e komunizmit dhe më pas prokuror deri në fund të viteve 2000].
- Në dogana bëhet kontrabandë e vazhdueshme. Pjesa kryesore e kontrabandës bëhet më mallrat e akcizës, përfshi cigare dhe naftë.
- Mënyra kryesore e kontrabandës është përmes falsifikimit të dokumentave të ngarkesës duke deklaruar mallra të tjerë nga ato që importohen realisht. Ngarkesat me mallra akcize, deklarohen në dokumentat e fallsifikuara si mallra pa akcizë.
- Kontrabanda më e madhe bëhet kryesisht përmes doganave të Kapshticës, Kakavijës dhe Tiranës.
- Drejtues dhe inspektorë të rëndësishëm në dogana janë pjesë e kontrabandës, duke vepruar madje në mënyrë të organizuar për të mundësuar kontrabandën dhe shmangur çdo person që i pengon në këtë aktivitet.
- Puna e kompanisë britanike Crown Agents është sabotuar vazhdimisht nga drejtuesit e doganave. Drejtuesit e doganave i kanë urdhëruar haptazi doganierët që të shmangnin kontrollet e Crown Agents mbi ngarkesa të caktuara.
- Kompania Crown Agents ka hartuar një dokument për Kryeministrin, përmes të cilit e kanë informuar për të gjitha problemet në dogana, përfshi kontrabandën dhe sabotimin e punës së tyre nga admisnitrata doganore.
- Kontrabanda është thelluar veçanërisht mbas largimit të Elisa Spiropalit (në Janar 2015) nga drejtimi i doganave. Pas këtij largimi, për shumë muaj drejtimi i doganave ka qënë praktikisht në dorë të zëvendës drejtorit, njëherësh drejtor i hetimit, i cili ka qenë vendim-marrësi kryesor për pothuajse një vit dhe përgjegjësi kryesor për kontrabandën dhe përkeqësimin e gjendjes së doganave.