Kontradiktat e Komisionit Evropian mbi “Ligjin Anti-Shpifje”

Kontradiktat e Komisionit Evropian mbi “Ligjin Anti-Shpifje”

Komisioni Evropian pohon se tërheqja e paketës “Anti-shpifje” nuk ishte një kërkesë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të negociatave të pranimit në BE.

Exit i dërgoi një numër pyetjesh Komisionit dhe Parlamentit Evropian rreth çështjes së ligjit të medias, i cili, nëse do të miratohet në formën aktuale, do të vendos mediat online nën kontrollin e drejtpërdrejtë të një organi të caktuar nga shteti.

Në fillim të këtij viti, Exit pyeti Raportuesen e Shqipërisë në PE, Isabel Santos në lidhje me statusin e ligjit. Ajo pretendoi dy herë se qeveria shqiptare e kishte tërhequr nga Parlamenti. Kjo nuk është e vërtetë dhe as gjendet në agjendën e parlamentit. Santos refuzoi të sqaronte deklaratën e saj, pavarësisht kërkesave të përsëritura për komente.

Në lidhje me këtë temë, Këshilli Evropian tha se nuk ishte vendi i tyre të komentonin mbi çështjen apo edhe sjelljen e Santos.

Exit më pas pyeti nëse ata e konfirmojnë që projektligji është ende pezull në parlament. Ata e pranuan, duke kundërshtuar në këtë mënyrë raportuesen Santos. KE tha se “shumica ka dhënë sinjale të qarta se nuk ka ndërmend të vazhdoje me miratimin e këtij ligji në pritje dhe se do të ishte në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias nëse do të miratohej në të ardhmen.”

Ligji u miratua nga Kuvendi, më pas Presidenti e bllokoi dhe e ktheu në Kuvend. Nëse Kuvendi e voton përsëri, ai do të shndërrohet në ligj pa miratimin e Presidentit. Qeveria nuk ka bërë asnjë përpjekje për të tërhequr zyrtarisht ose publikisht projektligjin.

“Para Konferencës së Parë Ndërqeveritare, Shqipëria duhet të miratojë …” Më pas rendit një numër veprimesh që duhen bërë, duke përfshirë “ndryshimin e ligjit të medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias,” shkruhet në Raportin e KE-së në mars të 2020. KE e përshkruan si një përparësi të rëndësishme.

Në një deklaratë të mëparshme KE i tha Exit se: “Amendamentet e Ligjit për Mediat nuk ishin mes listës së kushteve të vendosura nga Këshilli në Mars 2020. Siç e pohon edhe Komisioni i Venecias, miratimi i ndryshimeve në Ligjin e Mediave nuk është i nevojshëm; por nëse ndonjë ndryshim do të miratohet, duhet të jetë në përputhje me mendimin e Komisionit të Venecias. ”

Si rrjedhim, deklarata e dhënë sot nga Pisonero bie pjesërisht ndesh me sa më sipër.

“Miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Mediat nuk është një kërkesë për mbajtjen e KPN-së së negociatave të pranimit. Por nëse do të miratoheshin ndryshimet, qëndrimi ynë i vazhdueshëm është që çdo ndryshim, duhet të jetë në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias. ”

Kur u pyet nëse projektligji plotëson standardet ndërkombëtare dhe vlerat e BE-së, Pisonero tha: “Ne mirëpresim angazhimin e Shqipërisë që ligji të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias nëse vendos të kalojë ndryshimet në Ligjin e Medias.”

Më herët, Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca ka deklaruar se ligji nuk i plotëson standardet e lirisë së shprehjes dhe nuk është në përputhje me ligjin e BE.

“Komisioni Evropian fillimisht kishte kërkuar që këto iniciativa të harmonizoheshin plotësisht me direktivat e Shërbimeve të Mediave Audio-vizuale të BE-së dhe ato e-Commerce. Megjithëse, shqetësimet kryesore të mëparshme në lidhje me acquis e BE-së duket se janë adresuar, akoma duhet të sigurohet pajtueshmëria e plotë e ndryshimeve me standardet e lirisë së shprehjes. ”

Zyrtarë të ndryshëm të tjerë të BE gjithashtu dënuan më parë ligjin, por që prej atëherë i kanë zvogëluar kritikat e tyre ose kanë ndalur së përmenduri krejtësisht.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>