Koreja e Jugut ka raportuar numrin më të ulët të rasteve të reja të koronavirusit, pasi shkalla e infeksionit arriti kulmin para katër javësh, duke shpresuar se numri i lartë i të infektuarve në Azi, jashtë Kinës, mund të jetë duke u zvogëluar.
Vendi regjistroi 64 raste të reja të Covid-19 në 24 orët e fundit, duke shkuar gjithsej në 8 961 raste me 111 vdekje.
Sidoqoftë, zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë se vendi ende përballet me një betejë të gjatë kundër infeksionit.
Tani është Evropa në qendër të pandemisë
Italia raportoi të martë 735 vdekje të reja në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në 6,820. Spanja raportoi 514 vdekje me një numër total prej 2,696, duke kaluar shifrat zyrtare të Iranit, i cili mbante vendin e tretë në botë për humbje të jetës nga sëmundja.
Në Nju Jork, kryetari i bashkisë së qytetit paralajmëroi përhapje të epidemisë gjithnjë e në rritje, me dëmet që do të sjellin edhe mungesat e furnizimeve në pajisje mjekësore.
Pritet që beteja kundër virusit të jetë e gjatë.
Kjo gjë u përforcua me lajmet nga Japonia, ku kryeministri japonez ka pranuar për herë të parë që Lojërat Olimpike të Tokios 2020 mund të shtyhen.
Sa ndryshon qasja e Koresë së Jugut nga vendet e tjera?
Afro 20 mijë njerëz testohen çdo ditë për koronavirus në Korenë e Jugut, më shumë njerëz për frymë se kudo tjetër në botë.
Vendi ka krijuar një rrjet të përbashkët të laboratoreve publike dhe private dhe ofron dhjetëra qendra lëvizëse, ku njerëzit me simptoma mund të kontrollojnë vazhdimisht gjendjen e tyre shëndetësore.
Koreja e Jugut e ka zhvilluar këtë skemë të kontrollit masiv të popullsisë pas shpërthimit të epidemisë së quajtur Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (Mers) në 2015, kur 36 njerëz vdiqën në vend, duke e renditur Korenë e Jugut në shtetin e dytë me numrin më të madh të rasteve të Mers pas Arabisë Saudite.
Epidemia e detyroi vendin të rivlerësojë qasjen e tij ndaj sëmundjeve infektive dhe qendrat e tij për Kontrollin e Sëmundjeve krijuan një departament special për t’u përgatitur për raste të tilla epidemish, masë e cila ka dhënë rezultatet e saja pozitive.
Ligjet për administrimin dhe shkëmbimin e informacionit publik për pacientët me sëmundje infektive ndryshuan ndjeshëm pas Mers dhe kjo gjë mund të konstatohej lehtësisht këtë vit kur qeveria përdorte njoftimet telefonike për t’u thënë njerëzve nëse ata ishin në afërsi të një pacienti të identifikuar me Covid-19.
Këtë fundjavë, qeveria përshpejtoi veprimet parandaluese duke dërguar alarmet e urgjencës, duke u bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë larg vendeve të tubimeve masive siç janë kishat, klubet e natës dhe palestrat.
Qeveria koreane u kërkoi gjithashtu udhëheqësve fetarë të kontrollojnë temperaturën e personave që ndjekin aktivitetet fetare dhe t’i mbajnë ata së paku dy metra larg gjatë çdo shërbese fetare.
Një numër i kishave në vend tashmë po përballen me masa ligjore pasi kanë shkelur udhëzimet qeveritare.
Pse i druhet Koreja e Jugut një vale të re shpërthimi të epidemisë?
Vendi ka parë dy valë infektimesh, raporton agjencia vendase e lajmeve, i pari në 20 janar me rastin e parë të konfirmuar dhe i dyti me përhapje masive midis një grupi fetar.
Tashmë ekziston shqetësimi se çështjet e importuara mund të nxisin një valë të tretë infektimesh.
Qeveria planifikon të instalojë rreth 20 testues kabine brenda aeroportit Incheon për të shpejtuar procesin e testimit të të gjithë të ardhurve nga Evropa.
Procedurat e reja të hyrjes në shtetin e Koresë së Jugut janë duke u aplikuar prej ditës së djelë. Deri më tani 152 persona të mbërritur në vend kanë shfaqur simptoma të virusit dhe i janë nënshtruar testimit, në pritje të rezultateve.
Koreja e Jugut është një rast esktrem i menaxhimit të situatës pandemike. Përdorimi agresiv i teknologjisë për të gjurmuar virusin dhe testimi në masë i të gjithë atyre që kanë qenë në kontakt me infeksionin duket se është një strategji që ka funksionuar, por pyetja që mjekët në të gjithë vendin shtrojnë është se çfarë vjen më pas.
Qëllimi është të rihapen shkollat brenda dy javësh. Kjo është arsyeja pse qeveria po dërgon mesazhe urgjente duke i bërë thirrje popullatës që të ruajë distancimin social për 15 ditët e ardhshme për të shmangur çdo rritje të infeksionit. Pranvera ka mbërritur dhe njerëzit duan të vazhdojnë jetën në normalitet.
Ndjesia e solidaritetit se kjo është një betejë për t’u fituar së bashku ka filluar disi të mos qëndrojë më. Zyrtarët shëndetësorë shpresojnë se duke paralajmëruar se kjo është një luftë e gjatë, do t’i inkurajojë njerëzit që ti qëndrojnë distancimit social dhe lëvizjeve të kontrolluara, si dhe tubimeve masive.
Ndërkohë, mjekët po diskutojnë hapat e mundshëm në vijim. Skema për gjurmimin e rasteve, të testimit në masë dhe trajtimit mjekësor të të infektuarve do të vazhdojë. Por gjithashtu do të duhet të mendohet edhe përtej kësaj.
Për shembull, çfarë ndodh nëse një klasë më nxënës do të infektohen? A do të izolohet dot e gjithë shkolla? Apo do të mbyllen të gjitha shkollat? Kjo do të çonte sërish në karantinimin e popullsisë.
Në një konferencë për shtyp, kreu i Komitetit Kombëtar të Mjekësisë, Dr. Oh Myoung-don u tha gazetarëve se mund të ketë një tjetër valë infeksionesh pasi të rihapen shkollat. Ai shprehu shqetësim gjithashtu për një rikthim të virusit dimrin e ardhshëm.
Ai përmendi se mund të jetë koha për të lejuar që një pjesë e popullsisë të sëmuret, e njohur si teoria e “imunitetit të tufës”. Dr Myoung-don tha se e pranon rrezikun, por gjithashtu beson se tani është koha që këto tema të trajtohen dhe të paralajmërohet publiku.
Paradoksi i suksesit të Koresë së Jugut është se mjekët kanë punuar kaq shumë për të ulur përhapjen e infeksionit, ndërkohë që po ata po shohin mundësinë e skenarit të kundërt.
Nëse kjo ndodh, problem mbetet se sa do të shkojë numri i të prekurve. Situata në Evropë është një shembull i rrezikshmërisë që përbën përhapja në masë e virusit, i cili po çon ne kolaps sistemet shëndetësore evropiane, duke e rritur numrin e vdekjeve çdo ditë e më shumë, në shifra alarmante.