Pas katërfishimit të rasteve me Koronavirus të zbuluara në Itali, Ministria e Shëndetësisë ka dyfishuar personelin mjekësor në pikat kufitare të vendit. Ky vendim u morr sot në mbledhjen e Task-Forcës për parandalimin, kontrollin dhe mbrojtjen ndaj koronavirusit.
Mjeku i Porti të Durrësit Indrit Kalaja ka thënë për Ballkanweb se pasagjerët e ardhur nga Italia janë kontrolluar dhe deri më tani nuk ka asnjë person të infektuar me koronavirus:
“Nuk ka pasur pasagjerë nga vatrat e infektuara. Po mbahen në vëzhgim edhe marinarët e mjeteve detare. Muajt e fundit kanë hyrë anije nga portet e Detit të Zi.”
Këtë fundjavë në Durrës kanë ardhur dy tragete nga Italia me rreth 446 pasagjerë.
Në Itali deri më tani kanë vdekur dy persona dhe janë infektuar rreth 30 të tjerë. Qytetet më të prekura janë Lodi dhe Codogno në rajoin e Lombardisë. Autoritetet italiane kanë urdhëruar mbylljen e restorantëve, zyrave, palestrave, depove të mbetjeve, dhe çdo ambjeti tjetër publik në këto qytete.