Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj pohoi se në Shqipëri transmetimi i Covid-19 “është komunitar, nuk është më vatër ku dihet sa të infektuar janë. E kemi parë që në të gjithë qytetet kryeson Tirana, Durrësi, me infektimet, sepse nuk dihet më se ku mund të infektohesh”.
Autoritetet shëndetësore në vend duhet të ndryshojnë strategji, dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetit:
Në rastin e transmetimit komunitar, identifikimi i rasteve individuale, gjurmimi i kontaktit dhe karantinimi nuk janë më të nevojshme.
Burimet duhet të përqendrohen në monitorimin e përhapjes dhe karakteristikave të virusit, identifikimin dhe administrimin e rasteve të rënda, parandalimin e transmetimit të mëtejshëm të virusit, lehtësimin e shërbimit të kujdesit shëndetësor, informimin e publikut dhe zvogëlimin e ndikimit të përgjithshëm të virusit në shoqëri dhe në ekonomi.
Autoritetet duhet të mbikëqyrin përhapjen gjeografike, intensitetin e transmetimit, popullsinë e prekur, veçoritë virologjike dhe ndikimet në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Strategjitë e testimit duhet të zhvendosen drejt monitorimit të intensitetit të transmetimit.
Gjithashtu, çdo kufizim hyrje që ka për qëllim ndalimin e rasteve me COVID-19 nuk është më e nevojshme dhe duhet të tërhiqet.