Koronavirusi, çdo ditë mijëra persona vijnë nga Italia, rriten masat në Rinas

Nga Exit News
Koronavirusi, çdo ditë mijëra persona vijnë nga Italia, rriten masat në Rinas

Çdo ditë hyjnë në Shqipëri nga Italia afërsisht 1500 deri në 3000 persona.

Shumica e tyre vijnë nga veriu i Italisë, zona më e prekur deri tani nga koronavirusi.

Në dy ditët e fundit ka pasur të paktën 28 fluturime direkte nga Italia drejt Shqipërisë.

Shumë prej fluturimeve janë nga zona të prekura nga koronavirusi si Roma me 4-5 fluturime çdo ditë, Milano me 2-4 fluturime çdo ditë, Bolonia, Bergamo, Venecia, Verona.

Ndërsa fluturimet e tjera janë nga Xhenova, Rimini, Firence dhe Bari, ku deri tani nuk kanë asnjë të prekur, por disa prej qyteteve kanë marrë masa parandaluese si mbyllja e universiteteve e shkollave dhe ndalimi i njerëzve në vende publike.

Numri i personave që vijnë nga Italia është më i lartë po të kemi parasysh dhe tragetet që vijnë çdo ditë nga Italia në portet e Durrësit dhe Vlorës.

Deri tani si masë parandaluese, shteti shqiptar ka dyfishuar numrin e mjekëve në aeroport e pika kufitare dhe ka përshtatur ambiente të posaçme intervistimi për personat që vijnë nga shtetet me risk si Kina apo Italia.

Kontrolli i parë bëhet përmes një aparature për matjen e temperatures ndërsa më pas, në rast se personat shfaqin simptoma, ato merren në një ambient të veçantë për analiza të mëtejshme.

Sot në sallën e emergjencave në aeroportin e Rinasit po zhvillohet task-forca për koronavirusin ku pritet të diskutohen masat për t’u mbrojtur nga koronavirusi dhe për të parandaluar hyrjen e individëve të prekur në territorin shqiptar.

Ndërkohë shteti fqinj me Italinë, Austria ka pezulluar të gjithë trenat nga dhe drejt Italisë pas përhapjes së madhe të koronavirusit në Itali.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>