PD denoncon indiferencën e qeverisë ndaj mjekëve: Në mëshirë të fatit, nuk kanë as maska

Nga Exit News
PD denoncon indiferencën e qeverisë ndaj mjekëve: Në mëshirë të fatit, nuk kanë as maska

Partia Demokratike akuzoi qeverinë se ka lënë mjekët në mëshirë të fatit, pa asnjë mjet bazik pune edhe në këtë moment kritik kur vendi rrezikohet nga koronavirusi.

Albana Vokshi dhe Gazment Koduzi, të cilët po monitorojnë masat e marra nga qeveria, vizituan Qendrën Shëndetësore Kamëz, dhe zbuluan se mjekët aty nuk kanë as doreza, dezinfektantë apo mjete të tjera.

Albana Vokshi u shpreh:

“Ne shkuam dhe biseduam edhe me disa mjekë të kësaj qendre shëndetësore, pamë vetë situatën. Nuk janë pajisur deri tani as me doreza, as me maska të standardeve të OBSH-së, as me dezinfektantë. Praktikisht, mjekët dhe stafi shëndetësor i kësaj qendre shëndetësore, jo vetëm i kësaj qendre por i gjithë qendrave shëndetësore në Shqipëri, stafi mjekësor i gjithë spitaleve në Shqipëri dhe urgjencat, praktikisht, janë në mëshirë të fatit.

Qeveria po bën propaganda.

Mjeku është kontakti i parë me pacientin, është ai i cili mund ta marrë virusin i pari dhe mund të rrezikojë jo vetëm jetën e tij, por edhe jetën dhe shëndetin e familjarëve të tij dhe të pacientëve, sepse mund të jetë bartës.”

Përveç problemit me mjetet, qendra shëndetësore në Kamëz ka probleme dhe me furnizimin me ujë, megjithëse është një nga qendrat që mbulon një rajon me rreth 200 mijë banorë, që funksionon 24 orë në ditë pasi ka edhe pjesën e urgjencës në të.

“Mendoni pak një qendër shëndetësore të cilës qeveria nuk i siguron as ujin. I vetmi njoftim i qeverisë është: lani duart, lani duart, por në mungesë të ujit si mund të bëhen vizitat?! Si mund të mbahet higjena e një qendre shëndetësore?!” u shpreh zonja Vokshi.

Albana Vokshi tha se shumë mjekë janë shprehur jo në prani të medias, se janë vetëpajisur me me mjetet elementare, në mungesë të mjeteve në spitale.

Ndërsa Gazmend Koduzi denoncoi propagandën që po bën qeveria për publikun, teksa në të vërtetë ajo është indiferente ndaj nevojave bazike të mjekëve, të cilët janë kontakti i parë me pacientin dhe ata janë të ekspozuar ndaj çdo virusi.

Një ditë më parë, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, Ministria e Shëndetësisë ka akorduar për spitalet një fond prej 1 milion dollar me  qëllim shtimin e mjeteve mbrojtëse, por ende nuk dihet se kur do të fillojë realisht pajisja e qendrave shëndetësore më këto mjete.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>