(Përditësuar më 4 mars) Koronavirusi – shtrirja dhe vdekjet e deritanishme

Nga Exit News
(Përditësuar më 4 mars) Koronavirusi – shtrirja dhe vdekjet e deritanishme

Numri i të vdekurve nga koronavirus po shkon në rreth 3 200 persona, ndërsa i të prekurve po afrohet në 94 mijë. Shifrat po vazhdojnë të rriten. Ndërkohë, Italia fqinje është pas Koresë së Jugut vendi më i goditur jashtë Kinës me mbi 2 500 persona të prekur dhe 79 të vdekur.

Më poshtë Exit News sjell të dhënat më të fundit rreth sëmundjes dhe pasojave të saj.

Përhapja dhe viktimat

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins në Shtetet e Bashkuara, deri në orën 11:00, 4 mars 2020, janë identifikuar 93 455 persona të infektuar nga koronavirusi, prej të cilëve 50 743 janë shëruar dhe 3 198 kanë vdekur.

Nga rreth 94 mijë të prekurit, mbi 80 mijë janë në Kinë, ku ka patur 2 981 të vdekur.

Rasti i parë i infektimit me koranvirus u identifikua në dhjetor 2019, në Wuhan të Kinës, e cila është epiqendra dhe zona më e prekur në botë nga sëmundja. Të gjitha rastet e para në Wuhan ishin të lidhur me praninë në një treg të gjësë së gjallë.

Ndërsa në Shqipëri autoritetet thonë se nuk ka ende një rast me të infektuar, virusi ka prekur 81 vende të tjera veç Kinës, në të cilat janë identifikuar rreth 13 000 të prekur dhe ka patur 217 të vdekur.

Italia me me 79 të vdekur është më i godituri pas Kinës, pasuar nga Irani me 77 dhe Korea e Jugut me 28.

Mbi 200 raste janë identifikuar në Francë dhe Gjermani, 165 në Spanjë, 58 në Zvicër, mbi 50 në Britani të Madhe dhe mbi 30 në Norvegji dhe Suedi.

Vende të tjera të prekura në Evropë janë Holandë e Austria (me 24 të infektuar), Islanda (14), Belgjika (13), San Marino (10), Danimarka (10), Kroacia (9), Greqia (8), Finlanda (6), Republika Çeke (5), Rumania (4), Portugalia (4), Gjeorgjia (3), Rusia (3), Irlanda (2) dhe Estonia (2).

Ndërkohë raste të para janë shënuar në Maqedoninë e Veriut, Luksemburg, Andorra, Armeni, Letoni, Bjellorusi dhe Lihtenshtejn.

Harta e vendeve të prekura nga koronavirusi në Evropë.

Sëmundja dhe simptomat

Koronaviruset janë viruse, të cilat shkaktojnë një mori problemesh shëndetësore, nga të lehtat, si e ftohura e zakonshme, tek ato serioze të njohura si çrregullime akute të frymëmarrjes.

Varianti i koronavirusit, që ka goditur botën aktualisht është variant i ri i kësaj familjeje, që shkakton “sëmundjen koronavirus” (COVID-19), e cila në rastet e përparuara shkakton pneumoni, të njohur si “pneumoni nga infeksioni me koronavirus të ri” (NCIP).

Rastet e rënda të pneumonisë shkaktuar nga koronavirusi mund të çojnë në sëmundje akute të frymëmarrjes dhe në disa raste në vdekjen e të prekurve.

Simptomat kryesore të sëmundjes së koronavirusit janë: temperaturë, kollë e thatë pa sekrecione, lodhje dhe, në raste serioze, çrregullime të frymëmarrjes dhe aritmi të zemrës, të cilat mund ta kalojnë pacientin në gjendje shoku. Një pjesë shumë e vogël e personave të prekur nga virusi zhvillojnë çrregullime akute me rreziqe ndaj jetës.

Koha e kalimit nga simptomat e para deri në çrregullimin akut është e shkurtër dhe zgjat zakonisht brenda 5-7 ditësh.

Rastet serioze zhvillohen kryesisht tek të moshuarit, sidomos ata që vuajnë nga sëmundje të tjera, veçanërisht ata që kanë probleme paraprake mushkërish dhe zemre.

Fëmijët e vegjël janë më të mbrojtur se moshat e tjera.

Nga të dhënat e deritanishme botërore, rreth 20 për qind e të prekurve të identifikuar kërkojnë terapi intensive, ndërsa vdekshmëria mesatare është rreth 3 për qind.

Kjo përqindje ndikohet shumë nga pesha e madhe e te rpekurve dhe te vdekurve në rajonin e Wuhanit që është epiqendra e sëmundjes. Jashtë krahinës, vdekshmëria është rreth 1 për qind.

Mbi gjysma e viktimave deri në mes të muajit shkurt ishin mbi 65 vjeç dhe thuajse të gjithë ata me probleme të tjera shëndetësore.

Për tu informuar më tepër rreth koronavirusit mund të lexoni:

Koronavirusi – shtrirja dhe vdekjet e deritanishme (kliko këtu)

Kur duhet të shqetësohemi për koronavirusin (kliko këtu)

9 pyetjet më të shpeshta rreth koronavirusit (kliko këtu)

Masa më e efektshme për parandalimin e prekjes nga koronavirusi (kliko këtu)

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>