Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve në Kosovë, Hekuran Murati, njoftoi të mërkurën se qeveria do të mbështes me qera dhe paga bizneset që preken nga masat antiCovid të qeverisë.
Sipas raportimit të medias kosovare KOHA, ai u shpreh se qëllimi është që të ruhet shëndeti ekonomik i vendit dhe vendet e punës.
“…ne kemi takuar përfaqësuesit e këtyre sektorëve dhe i kemi siguruar që mbështetja nuk do të mungojë. Ideja kryesore është që të mbështeten qiratë dhe pagat e punëtorëve. Qëllimi ynë do të jetë që të ruhet shëndeti ekonomik por pikë së pari të ruhen vendet e punës,” tha Murati.
Ai bëri me dije se nuk bëhet fjalë për një paketë rimëkëmbje gjithëpërfshirëse, por për masa të kufizuara për të ndihmuar ekonominë.
“Masat e tanishme të mos i shohim si diçka kufizuese, por si përgatitje për verën që na pret, të shfrytëzojmë tërë kapacitetin. Pakoja e rimëkëmbjes do të bëhet kur të kalojmë fazën emergjente. Nuk bëhet fjalë për një pako gjithëpërfshirëse,” u shpreh Murati.
Murati tha se ende nuk është përcaktuar masa e ndihmës që do t’u ndahet bizneseve, pasi duhet të specifikohen ende kriteret për aplikim.