Korrupsioni duhet të luftohet nga tre milionë shqiptarë

Nga Fron Nahzi
Korrupsioni duhet të luftohet nga tre milionë shqiptarë

Si forcë shtytëse e reformave gjyqësore të Shqipërisë, ambasadori amerikan Donald Lu iu drejtua para disa ditësh një salle plotë me gjyqtarë, se ata janë ndarë në dy grupe: ata “që punojnë ndershmërisht” dhe ata “që janë tmerrësisht të korruptuar.” “Nëse në dorën tuaj keni një orë që kushton më shumë se makina ime, me shumë gjasa jeni një gjyqtar i korruptuar,” u shpreh Lu. “Unë ju inkurajoj ta lini menjëherë këtë profesion. Së shpejti, mund të përfundoni në burg.” Të irrituar me udhëheqësit shqiptarë për luftën ndaj korrupsionit, SHBA-të e kanë ndryshuar politikën e tyre nga mbështetje për udhëheqës të fortë në mbështetje për ligje të forta – ndryshim ky i mirëpritur nga shumë shqiptarë dhe të huaj që kanë kohë që presin një gjë të tillë.

Njëzet e pesë vjet më parë, Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker qe zyrtari i parë i lartë i SHBA-ve që vizitoi Shqipërinë. Ai u prit me krahë hapur nga më shumë se 300 mijë shqiptarë; ata u rreshtuan në rrugë dhe puthnin makinën e tij, pasi e shihnin atë si shpëtimtarin e tyre. Pas pesëdhjetë vitesh sundimi të ashpër komunist, shumica e shqiptarëve e kishin humbur besimin tek udhëheqësit e tyre dhe hodhën vështrimin drejt Perëndimit, në veçanti drejt Shteteve të Bashkuara, për të bërë atë gjë që shqiptarët kurrë nuk kishin qenë në gjendje ta bënin vetë: t’u kërkonin llogari dhe t’i bënin përgjegjës udhëheqësit e tyre të zgjedhur.

Për fat të keq, amerikanët dhe evropianët qenë, në atë kohë, më të interesuar për parandalimin e përhapje së konfliktit jugosllav se sa në mbështetjen e mirëqeverisjes në Shqipëri. Si pasojë, ata mbyllën njërin sy kur Partia Demokratike e sapozgjedhur në pushtet dhe udhëheqësi i saj Sali Berisha zaptuan sistemin gjyqësor (mbi të cilin kanë ndikim ende), vunë nën fre median e pavarur, larguan nga puna profesorë për shkak të bindjeve politike, shtinë në dorë partneritetet publike-private për të shpërblyer funksionarët e lartë, dhe përdorën fotografitë e rastit me udhëheqës amerikanë dhe evropianë për të dëshmuar mbështetje perëndimore për stilin e tyre të sundimit.

Gjatë 25 viteve, pushteti është ndërruar mes dy partive kryesore të vendit, socialistëve dhe demokratëve, ndërsa parlamenti u kthye në një shpellë kusarësh. Amerikanët dhe evropianët i bënë thirrje të gjitha qeverive shqiptare që pasuan për të ndalur korrupsionin dhe klinetelizmin. Të gjitha qeveritë i injoruan këto thirrje. Shumë zyrtarë të zgjedhur që hynë në politikë me ora Prim dhe apartamente modeste, dolën duke reklamuar mallra Cartier, Gucci, dhe vila në zonat elitare.

Si u shndërrua Shqipëria në kleptokraci? Disa të huaj fajësojnë shoqërinë e dobët civile të Shqipërisë dhe mediat që dështuan në detyrën e tyre për t’u kërkuar llogari drejtuesve të zgjedhur të vendit. Shqiptarët fajësojnë udhëheqësit amerikanë dhe europianë që kanë mbështetur zyrtarët e tyre të korruptuar. Një udhëheqës i korruptuar është një kundërshtar i frikshëm; një udhëheqës i korruptuar i mbështetur nga fuqitë perëndimore është një titan i fuqishëm. Shqiptarët e drejtojnë gishtin nga Sali Berisha, i cili, për shumë vite, ka qenë i preferuari i Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Ata gjithashtu e drejtojnë gishtin nga Ilir Meta, kreu i Parlamentit dhe LSI-së, partner në koalicionin socialist në pushtet, i cili, gjatë kohës që ishte partner në koalicion me Berishën, u regjistrua në video duke kërkuar rryshfet.

Boll më, thotë ambasadori amerikan Lu. Korrupsioni nuk do të tolerohet më, të paktën nga SHBA-të, të cilat u kanë ndaluar marrjen e vizave zyrtarëve publikë të korruptuar. Ambasadori Lu dhe BE e shtynë qeverinë dhe opozitën të adoptojnë një ligj që u ndalon të mbajnë poste publike individëve me të shkuar kriminale. Bashkë me partnerët europianë, ai tashmë po trajton sfidën më të madhe të zhvillimit të Shqipërisë: depolitizimin e sistemit gjyqësor. Reformat e propozuara kufizojnë rolin e politikës në emërimet gjyqësore, detyrojnë gjykatësit të zbulojnë burimin e pasurisë së tyre, dhe forcojnë pushtetin e Prokurorit të Përgjithshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht gjyqtarët e korruptuar.

Ajo që e bën të vecantë këtë ndryshim në qasjen politike të Uashingtonit është përkrahja për institucionet dhe jo individët dhe dora e lirë që Uashingtoni i ka lënë ambasadorit për t’u kërkuar publikisht llogari zyrtarëve publikë. Duke mos e vrarë mendjen për mënyrën si mund të shihet ambasada për shkak të akuzave të hapura të Lu-së apo për ndikimin e tyre në aleancat me udhëheqësit politikë, sjellja si i fortë e Lu-së me të fortit e vendit është e mirëpritur. Ndryshe nga dy paraardhësit e tij, të cilët patën detyrën e pamundur të punonin me një kryeministër kokëfortë si Berisha, Lu ka gjetur një partner të vullnetshëm tek Kryeminsitri Edi Rama. Rama i ka shpallur luftë korrupsionit duke i lejuar qytetarët që të regjistrojnë në mënyrë anonime rryshfetet në portalin anti-korrupsion të qeverisë, duke i pastruar forcat policore dhe duke i dhënë fund evazionit fiskal dhe duke detyruar pagimin e faturave të energjisë elektrike.

Kur u pyet nga një gazetar se çfarë propozon ai për të luftuar korrupsionin e përhapur dhe të pranishëm kudo, Ambasadori Lu u përgjigj: “Korrupsioni nuk mund të luftohet nga ata që e krijuan. Mos lejoni politikanët të kontrollojnë nismën anti-korrupsion.” Kur u pyet se kush do të luftojë atëhere korrupsionin, Lu u përgjigj: “Ti! Dhe tre milionë qytetarë të tjerë shqiptarë.”

Njëzet e pesë vjet më parë, shqiptarët që dolën rrugëve për të pritur Bakerin mbanin në duar pankarta që lexonin: “…Mirë se vini, Zoti Baker. Shqipëria ka 50 vjet që po ju pret.” Në qoftë se politika amerikane arrin ta transformojë gjyqësorin shqiptar, shqiptarët mund të shkruajnë: “Ambasadori Lu, kemi 25 vjet që ju kemi pritur ju.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>