Kosova akuzon Rusinë se tenton të pengojë pajtimin me Serbinë

Nga Exit News
Kosova akuzon Rusinë se tenton të pengojë pajtimin me Serbinë

Ministria e Jashtme e Kosovës thotë se Rusia gjithmonë është përpjekur të pengojë procesin e pajtimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prandaj vlerëson se deklaratat e fundit nga Moska kundër Kosovës nuk “janë për t’u habitur”.

reagimin e ministrisë thuhet se se Rusia, ka tentuar të rrënojë ndikimin perëndimor në rajon dhe të imponojë ndikimin rus.

“Ndërtimi i një baze ‘humanitare’ në Nish në afërsi me Kosovën, nisja e trenit të sponsorizuar nga Rusia për t’u futur dhunshëm në Kosovë, organizimi i incidenteve në veri të vendit nga pjesëtarë rusë të OKB-së në Kosovë, sponsorizimet ruse për të prodhuar ‘fake neës’ në Kosovë dhe rajon, angazhime serioze të diplomacisë ruse për të kushtëzuar shtete dhe udhëheqës të caktuar për të ‘tërhequr njohjen e Kosovës’, si dhe shumë veprime të tjera publike dhe jopublike në forume të ndryshme ndërkombëtare, tregojnë qartë për tendencën përçarëse ruse për të penguar procesin e pajtimit dhe ta prishur paqen në rajon. Në këtë mënyrë Rusia synon të rrënojë ndikimin perëndimor dhe ta imponojë atë rus”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Ky reagim vjen pasi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha më 26 shkurt në Twitter se “çdo përpjekje për të përshpejtuar të ashtuquajturin normalizim përfundimtar midis Beogradit dhe Prishtinës dhe për të vendosur një afat kohor arbitrar është shkatërrues”.

“Është e rëndësishme që të koordinohet një plan i zbatueshëm, i cili po ashtu do të pranohej nga publiku”, ka deklaruar Zahkharova, deklaratë e cila është shoqëruar me një fotografi ku shkruan “Kosova është Serbi”.

Kosova, sipas ministrisë së Jashtme, ka konsensus të gjerë sa i përket përkushtimit për dialogun me Serbinë dhe sipas këtij institucioni ky proces duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>